Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Deklarata e Shtunit: relativizim i rrezikshëm

Deklarata e Shtunit: relativizim i rrezikshëm

Shkruan: Basri Beka

Deklarata e z. Adrian Shtuni është tipike e atyre “ekspertëve” që flasin nga larg, me gjuhë të kujdesshme dhe ton “balancues”, por që në praktikë i bëjnë shërbim narrativës serbe.
Të thuash se BIA interesohet për “qarqet islamiste” në Kosovë vetëm për “luftën kundër terrorizmit” është naivitet i rrezikshëm ose, më keq, relativizim i qëllimshëm. Serbia nuk është viktimë e ekstremizmit islamik. Serbia është një nga aktorët që prej vitesh e ka përdorur, financuar, nxitur dhe instrumentalizuar islamizmin politik dhe radikalizmin fetar në rajon – jo sepse i intereson feja, por sepse i intereson destabilizimi i Kosovës dhe paraqitja e saj si vend i rrezikshëm, i paaftë për të qenë shtet.
Kur BIA rekruton njerëz brenda këtyre rrjeteve, kur kërkon emra, kontakte dhe “objektiva për rekrutim”, kjo nuk është “monitorim i kërcënimeve”. Kjo është krijim dhe ushqim i rrjeteve që pastaj shfrytëzohen për të prodhuar imazhin e “Kosovës së rrezikshme”. Dhe kjo është strategji e vjetër e Beogradit: krijo problemin, pastaj shit veten si zgjidhje.
Z. Shtuni flet për “kontekst më të gjerë” dhe “objektiva që shkojnë përtej”, por ndalon aty ku duhet të flitet hapur. Nuk thotë se Serbia ka qenë dhe mbetet një nga burimet e mbështetjes për struktura që synojnë të minojnë sovranitetin e Kosovës. Nuk thotë se shërbimet serbe e kanë trajtuar gjithmonë ekstremizmin jo si kërcënim, por si mjet. Dhe kështu, pa e dashur ose me dashje, e zbut përgjegjësinë e Beogradit.
Nuk është “ekspertizë” të thuash se të dhënat e inteligjencës kanë “vlerë të qartë”. Është fakt se Serbia e ka përdorur kartën e “kërcënimit islamik” për të justifikuar ndikimin e saj, për të frikësuar partnerët perëndimorë dhe për të penguar konsolidimin e shtetit kosovar. Kush e relativizon këtë, me dashje apo pa dashje, i shërben asaj axhende.
Kosova ka institucione të sigurisë që e dinë mirë këtë realitet. Shqipëria gjithashtu. Problemi nuk është mungesa e informacionit. Problemi është kur “ekspertë” me adresë në Uashington flasin sikur po zbulojnë Amerikën, ndërsa në fakt po e zbutin përgjegjësinë e atyre që prej dekadash kanë punuar për të mbajtur Kosovën të paqëndrueshme.
Deklarata e z. Shtuni nuk është neutrale. Është në funksion të relativizimit. Dhe relativizimi i veprimtarisë së shërbimeve serbe dhe i instrumentave që ato përdorin nuk është analizë. Është kontribut, i vetëdijshëm ose jo, në narrativën antikombëtare.