Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Deklarata 6-pikëshe e përfaqësuesve serbe nuk është listë kërkesash sociale, por dokument politik me qëllim të qartë

Deklarata 6-pikëshe e përfaqësuesve serbe nuk është listë kërkesash sociale, por dokument politik me qëllim të qartë

Shkruan: Basri Beka
Deklarata 6-pikëshe e përfaqësuesve serbe nuk është listë kërkesash sociale, por dokument politik me qëllim të qartë: krijimin e një rendi paralel juridik brenda Republikës së Kosovës.
Të kërkosh “lehtësira juridike” që nënkuptojnë pranimin e dokumenteve, institucioneve arsimore dhe shëndetësore të një shteti tjetër në territorin e Kosovës, do të thotë të kërkosh sovranitet të kufizuar të Kosovës në territorin e vet. Kjo nuk është mbrojtje e të drejtave të njeriut — kjo është autonomi funksionale.
Serbët në Kosovë kanë të drejta kushtetuese më të gjera se çdo pakicë tjetër në rajon: gjuhë zyrtare, vende të rezervuara në Kuvend, vetëqeverisje lokale, financim publik, mbrojtje të veçantë për trashëgiminë fetare e kulturore. Problemi nuk është mungesa e të drejtave, por refuzimi i integrimit në rendin juridik të Republikës.
Kërkesa që arsimi dhe shëndetësia të mbeten jashtë sistemit të Kosovës dhe të zgjidhen vetëm përmes dialogut Beograd-Prishtinë nënkupton që një shtet tjetër të ketë kompetenca publike brenda Kosovës. Kjo është e papranueshme për çdo shtet sovran.
Asociacioni nuk mund të jetë nivel i tretë pushteti, as mekanizëm territorial autonom. Çdo model që prodhon kompetenca ekzekutive kolektive mbi baza etnike cenon Kushtetutën dhe e kthen Kosovën në një Bosnje të re, jofunksionale dhe të bllokuar politikisht.
Të drejtat individuale të çdo qytetari serb duhet të mbrohen plotësisht. Por nuk do të ketë të drejta kolektive që prodhojnë juridiksion paralel dhe varësi institucionale nga Serbia.
Kosova është shtet i qytetarëve të saj — jo territor i administruar nëpërmjet negociatave të përhershme për sovranitetin.