Numri i dëbimeve të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara ka arritur në nivelin më të lartë që nga viti 2014, sipas një raporti të qeverisë amerikane të publikuar të enjten.
Kjo si pjesë e një nxitje më të gjerë që po i bën këtij procesi Presidenti në largim Joe Biden, për të reduktuar imigracionin e paligjshëm.
Sipas raportit vjetor të Departamentit të Emigracionit dhe Doganave (ICE) rreth 271,000 emigrantë janë dëbuar në 192 vende në vitin fiskal 2024, i cili nis më 1 tetor të vitit 2023 dhe përfundon më 30 shtator 2024.
Sipas statistikave të qeverisë, kjo është shifra më e lartë e dëbimeve që kur Presidenti Biden mori detyrën në vitin 2021 dhe më e lartë se çdo vit i administratës së parë të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, 2017-2021.
Biden mori detyrën duke u zotuar të zhbënte politikat më kufizuese ndaj imigracionit të vendosura nga Trump, por luftoi me nivele të larta të imigracionit të paligjshëm dhe gradualisht e ashpërsoi qasjen ndaj tij.
Kurse Trump fitoi një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë në nëntor duke premtuar se do të dëbonte një numër rekord emigrantësh të paligjshëm nga vendi, si pjesë e një goditjeje më të gjerë ndaj imigracionit.
Zëdhënësja e tranzicionit e Trump, Karoline Leavitt, tha në një deklaratë se dëbimet e Biden ishin të parëndësishme në krahasim me nivelet e larta të emigracionit të paligjshëm të shënuar gjatë presidencës së tij.
Rreth 11 milionë emigrantë nuk kishin status ligjor ose gëzonin mbrojtje të përkohshme në vitin 2022, sipas vlerësimeve të qeverisë dhe grupeve të ekspertëve, një shifër që disa analistë thonë se është 13 deri në 14 milionë, raporton VOA.