Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Dogana shpall konkurs për oficerë doganor, vendos kriter moshën nga 18 deri në 30 vjeç

Dogana shpall konkurs për oficerë doganor, vendos kriter moshën nga 18 deri në 30 vjeç

Dogana e Kosovës ka shpallur konkurs për oficerë doganor. Konkursi do të jetë i hapur deri më 22 mars të këtij viti.

Ajo çka bie në sy në këtë konkurs, është kriteri i moshës që është vendosur, ku aplikantët duhet të jenë nga 18 deri në 30 vjet.

“Të jetë i moshës tetëmbëdhjetë (18) deri tridhjetë (30) vjeç”, është një nga kriteret e aplikimit. Nëse nuk e përmbushni këtë kriter, s’mund të vazhdoni fare me aplikimin.

Kritere tjera për aplikim janë: Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës; Të ketë zotësi të plotë për të vepruar; Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për t’i kryer detyrat e dhëna; Të ketë diplomë universitare të kualifikimit bachelor ose kualifikim të barasvlershëm- preferohet në drejtësi, ekonomi, kimi, farmaci, biologji, teknologji dhe doganë; Të japë informacionin e kërkuar në lidhje me punën e tij të mëparshme ose ndonjë çështje tjetër që lidhet me pranimin e tij në Doganë; Dëshmi nga organet kompetente (Gjykata) se personi nuk është i dënuar ose ndaj saj/tij nuk është duke u zhvilluar procedurë penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare si dhe të ketë reputacion të lartë profesional dhe integritet personal.

Në fazën e parë do të bëhet përzgjedhja në bazë të dokumenteve të paraqitura dhe aplikacioneve, njoftimi i kandidatëve të diskualifikuar si dhe atyre të cilët do t’i nënshtrohen procedurave tjera të testimit.

Në fazën e dytë, procedurat e testimit, testi me shkrim dhe intervista me gojë.

“Dogana e Kosovës gëzon të drejtën ligjore për prerjen e listës së kandidatëve dhe krijimin e listës më të ngushtë që do t’i nënshtrohen testit me shkrim dhe intervistës me gojë, duke u bazuar në lartësinë e pikëve të marra nga procesi i vlerësimit të aplikacioneve dhe testit me shkrim, në rastet kur numri i aplikantëve që kanë përmbushur kërkesat e konkursit, respektivisht kanë kaluar pragun e kalueshmërisë nga procesi i vlerësimit të aplikacioneve dhe testit me shkrim, është më i lartë se dhjetë (10) kandidatë të përshtatshëm për një pozitë të lirë.

Njoftimi i kandidatëve për orarin, vendin dhe procedurat e testimit do të bëhet së paku dhjetë (10) ditë kalendarike para datës së testit me shkrim, respektivisht intervistës me gojë”, thuhet në konkurs.

/TV Arbëria