Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Drejtësi > Damati: Për shkak të situatës politike dhe frikësimit, ish-partnerja e Ivanoviqit s’dha dëshmi në Gjykatë

Damati: Për shkak të situatës politike dhe frikësimit, ish-partnerja e Ivanoviqit s’dha dëshmi në Gjykatë

Në seancën e së martës, në gjykimin për vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, Gjykata Themelore në Prishtinë, mori aktvendim që dëshmitarja Milena Popoviq (ish-partnerja e Ivanoviqit), të dëgjohet përmes ndihmës juridike ndërkombëtare (Departamenti për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar), në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-së, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, njoftoi palët se dëshmitarja Popoviq është ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata përmes e-mailit, por sipas tij e njëjta gjithashtu përmes e-mailit e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë e pranishme në seancë për shkaqe të situatës politike dhe sigurisë së saj.

Mirëpo, e njëjta sipas gjykatësit Kurtaj ka kërkuar që të dëgjohet përmes video-linkut (platformës virtuale).

Lidhur me këtë dëshmitare, prokurori special Burim Çerkini, deklaroi se për shkak të mungesës së saj shqyrtimi gjyqësor është shtyrë disa herë, mirëpo i njëjti tha se edhe pse është interes i Prokurorisë që kjo dëshmitare të dëgjohet, nuk mund ta presin deri në pafundësi atë.

“Ne kemi një dëshmi të cilën e ka dhënë dhe nëse eventualisht nuk kemi ndonjë e-mail zyrtar që nesër do të jetë prezent, ndoshta sot e njofton gjykatën që nesër do të jetë prezent, atëherë sikurse tek dëshmitarët tjerë ne pajtohemi që seanca të vazhdojë edhe pa dëgjimin e saj, tu e konsideru të lexume dhe të vazhdojmë me planet tjera që i kemi në këtë çështje penale”, tha prokurori Çerkini.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Nedelkjo Spasojeviq, avokati Faruk Korenica, lidhur me dëshmitaren Popoviq ka thënë se disa herë përmes televizionit e ka dëgjuar atë duke thënë se është e gatshme të paraqitet para gjykatës dhe të tregojë se kush është porositësi i vrasjes, motivi i vrasjes dhe sipas tij herën e fundit atë e ka dëgjuar duke thënë edhe emrin e personit që e ka ekzekutuar Ivanoviqin.

Për mungesën e dëshmitares dhe për procesin në tërësi ka folur avokati Musa Damati, që në këtë rast mbron Silvana Arsoviq.

Ai tha se do të kërkojnë ndihmë juridike ndërkombëtare, përmes EULEX-it, që Popoviq të jap dëshminë e saj.

Damati tha se për shkak të frikësimit dhe tensioneve politike, ish-bashkëshortja e Ivanoviqit nuk ka ardhë për të dëshmuar.

“Për shkak të mungesës së dëshmitares e cila ka deklaruar se pikërisht për shkak të tensioneve politike midis Kosovës dhe Serbisë, sipas saj është ndjerë e pasigurt që të jetë prezente në seancën e sotme pranë departamentit special në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për të dhënë dëshminë e saj lidhur me rastin e politikanit serb Ivanoviq, në bazë të kësaj është bërë edhe shtyrja e seancës gjyqësore të planifikuar që të mbahet sot. Në anën tjetër, trupi gjykues ka marrë vendim që të kërkojë ndihmë juridike ndërkombëtare, përmes EULEX-it, në mënyrë që të kërkojnë nga organet kompetente të Republikës së Serbisë, mundësinë e intervistimit të dëshmitares në fjalë, për të marrë dëshminë e saj lidhur me këtë çështje voluminoze penale”, tha Damati.

“Dëshmitarja të cilën Gjykata e  ka planifikuar që ta ftojë në seancën gjyqësore është anëtare e parlamentit të Serbisë, ish-bashkëshortja e politikanit serb Ivanoviq dhe e njëjta është ftuar për më tepër se 4 herë në këtë çështje penale për të dëshmuar nga ana e gjykatës, sipas propozimit të PSRK-së por se e njëjta vazhdimisht ka ofruar arsye të ndryshme, përmes emailit, komunikimit zyrtar dhe ka arsyetuar mungesën e saj, ndërsa tani Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që përmes mënyrave legale, përmes EULEX-it të kërkojë ndihmë juridike ndërkombëtare për të siguruar dëshminë e saj”, tha tutje Damati.

/TV Abëria

Themes by WordPress