Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, të dielën, më 13 prill do të organizojë një darkë jozyrtare me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj darke pune ministrat do të trajtojnë çështje kyçe që lidhen me integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor dhe sfidat aktuale të sigurisë e bashkëpunimit rajonal.
“Gjatë një drekë pune, ministrat do të diskutojnë se si të avancojnë angazhimin e BE-së me partnerët e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Shefja e BE-së së fundmi ka zhvilluar disa vizita në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar angazhimin e BE-së për integrimin e rajonit në strukturat evropiane.
Kallas vizitoi Tiranën, ku u takua me kryeministrin Edi Rama. Ajo vlerësoi përparimin e Shqipërisë në reformat e nevojshme për anëtarësim në BE dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të tyre.
Gjatë kësaj vizite, u nënshkrua një marrëveshje me Bankën Evropiane të Investimeve për modernizimin e linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë, një projekt kyç për transportin dhe mobilitetin ushtarak në rajon.
Gjatë konferencës për media në Tiranë së bashku me kryeministrin Edi Rama, ajo ka theksuar se Kosova dhe Serbia nuk mund të ecin përpara drejt BE-së pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve.