Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Darka e heshtjes

Darka e heshtjes

Shkruan: Afrim Kasolli

Publikimi i përgjimeve të bisedës telefonike, ndërmjet Shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësuesin e nëntokës politike të Listës Serbe, Milan Radoiçiqi, i cili në kohën kur u zhvillua telefonata gjendej në Listën e Zezë të SHBA-ve për krim të organizuar, ka shkaktuar një reagim të madh publik dhe shoqëror.

Analistë dhe përfaqësues të caktuar të opozitës, këtë bisedë “romantiko-politike” e panë si kërcënim të sigurisë kombëtare. Si shprehje të hipokrizisë së pushtetit, ku betimet dhe zotimet e tyre se janë subjekti i parë politik qeverisës, që nuk koordinohen me Listën Serbe, u demaskuan si mashtrim publik. Madje, kishte edhe të tillë që kërkuan intervenimin të Prokurorisë për ta hetuar përmbajtjen e asaj që është biseduar etj etj.

Nga ana tjetër, pushteti e mbrojti këtë komunikim. Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, deklaroi se pikërisht me këtë subjekt, “Radoiçiq ikë maleve me bisht nën shalë, e nuk zë vend në kërrigat e zyrës së Kryeministrit”. Të njëjtin qëndrim pak a shumë e mbrojti edhe vetë i pari i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti. Ai me një gjuhë të përçart politike, herë tha se nuk e dëgjuar përgjimin , e herë se mund të jetë komplot kundër arritjeve të Qeverisë së tij, e herë se Shefja e Grupit Parlamentar të këtij subjekti politik nuk është anëtare e Vetëvendosjes etj etj.

Mirëpo, ajo që bie në sy në tërë këtë zallamahi është heshtja e “frikshme” e liderit të PDK-së Memli Krasniqi dhe Shefit të Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri, për këtë skandal. Asnjë fjalë s’u shpëtoi prej goje. Thuajse të jetonin në një realitet tjetër paralel. Nuk është që nuk kanë pasur kohë për t’u deklaruar.

Madje hiç me larg se dje, lideri i PDK- filloi ta imitoi kryeministrin Kurti për të intervenuar në kuadër të diasporës shqiptare në shtetet e Bashkimit Evropian, për ta instruktuar atë, se për cilën parti politike evropiane duhet të votojnë. Kurse në anën tjetër, injorim i plotë i skandalit të sipër cekur.

Kjo metamorfozë radikale politike ka ngritur shumë dilema. A mos vallë ka të bëjë me darkën e përbashkët të para pak kohe ndërmjet dyshes së PDK-së, kryetarit Krasniqi dhe drejtuesit të Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri me Kryeministrin Kurti dhe shefen e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, për të biseduar për zhbllokimin e “agjendës legjislative”. Mbetet enigmë sfinksi se çka u ka ofruar në menynë politike atë natë kryeministri Kurti dhe e dyta, për të blerë këtë heshtje politike. Sepse në rrethana tjera është e pa imagjinueshme që ata nuk do të reagonin. /TV Arbëria

Themes by WordPress