Dardan Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj shpenzimeve të institucioneve publike për qera, duke akuzuar qeverisjen për keqmenaxhim të buxhetit dhe largim nga parimet e shërbimit publik.
Sipas tij, shteti për shkak të paaftësisë ka humbur kuptimin e shërbimit ndaj qytetarit, ndërsa miliona euro po shpenzohen për qera të objekteve institucionale.
“Këtij shteti, nga paaftësia, i ka humbur kuptimi i shërbimit publik. Miliona euro po shkojnë për qera”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka përmendur disa institucione që sipas tij po funksionojnë me kosto të larta qeraje, si Zyra e Auditorit, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, Policia e Kosovës, Administrata Tatimore dhe Ministria e Bujqësisë.
Krasniqi ka ngritur dyshime edhe për mënyrën e shpenzimit të mjeteve publike, duke pretenduar se përfitues nga këto pagesa janë grupe të caktuara ekonomike.
“Po të ishin në opozitë, do të flisnin për oligarkë që marrin miliona euro nga qerat. Sot, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogari se ku po shkon buxheti i shtetit”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka akuzuar kryeministrin dhe Lëvizjen Vetëvendosje për mospërmbushje të premtimeve dhe ka përmendur edhe çështjen e terminaleve, duke e cilësuar si një tjetër premtim të papërmbushur.