Dardan Krasniqi ka reaguar lidhur me zhvillimet politike dhe mënyrën e funksionimit të institucioneve në vend, duke theksuar se demokracia nuk përfaqësohet vetëm nga vota, por mbi të gjitha nga përgjegjësia ndaj qytetarit.
Sipas tij, në momentin kur konkurset e punës shfrytëzohen për nepotizëm, buxheti i shtetit përdoret për qëllime elektorale dhe institucionet kthehen në mjete politike, vendi largohet nga rruga e zhvillimit.
“Demokraci nuk është vetëm vota, por përgjegjësia ndaj qytetarit. Kur konkurset e punës hapen për nepotizëm, buxheti i shtetit përdoret për fushata dhe institucionet shndërrohen në vegla politike, atëherë shteti nuk ecën përpara; vetëm varfëria dhe padrejtësia rriten”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka shtuar se Kosova ka nevojë për meritokraci, zhvillim dhe institucione që punojnë në shërbim të qytetarit dhe jo të interesave partiake.
“Demokracia humb kur pushteti vendos interesin e vet mbi interesin e popullit. Rënia e kësaj politike është e sigurt, sepse kjo formë e blerjes së votës nuk i shërben këtij vendi”, është shprehur ai.
Në fund, Krasniqi është shprehur optimist për të ardhmen, duke theksuar se megjithëse ngritjet janë të vështira, ato do të vijnë me sukses.