“Rrënuesit!” – me këtë fjalë e ka nisur reagimin e tij Dardan Krasniqi, pas rrënimit të objektit të Kompanisë Patroni.
Ai ka akuzuar Qeverinë Kurti për “armiqësi ndaj biznesit të ndershëm”, duke thënë se “rrënimi i objektit të Kompanisë Patroni është shembulli më i qartë se për këtë qeveri, biznesi i ndershëm dhe me traditë trajtohet si armik”.
“Kompania Patroni, fatkeqësisht, po sulmohet për herë të dytë. Në vitin 1999 nga Serbia dhe sot nga ata që po zbatojnë agjendën e shkatërrimit ekonomik dhe shpërnguljes së popullsisë”, ka deklaruar Krasniqi.
Sipas tij, “ky sulm është sulm ndaj punës, ndaj sakrificës së brezave, ndaj ndihmësve të UÇK-së, ndaj Malishevës e Kosovës”.
Ai ka përmendur edhe ndikimin që, sipas tij, ka pasur kompania në sportin lokal.
“Ky veprim është goditje edhe ndaj Klubit Malisheva dhe tifozëve të tij, që falë mbështetjes së Kompanisë Patroni sot janë pjesë e garave evropiane”, është shprehur ai.
Në fund, Krasniqi ka theksuar se “Malisheva është bashkë” dhe është zotuar se “do të ketë drejtësi për Kompaninë Patroni dhe për çdo biznes të ndershëm”.