Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Dallimi sociologjik ndërmjet Vetëvendosjes dhe subjekteve opozitare sa i përket pushtetit të brendshëm partiak

Dallimi sociologjik ndërmjet Vetëvendosjes dhe subjekteve opozitare sa i përket pushtetit të brendshëm partiak

Shkruan: Afrim Kasolli

Që nga fillimi i fushatës së hershme zgjedhore është vërejtur një përpjekje e partive opozitare për t’u distancuar nga temat që lidhen me dialogun apo veriun dhe ta shfaqin vetën si alternativë ekonomike ndaj pushtetit aktual. Ndërsa, Vetëvendosja përpos betejës virtuale me statistika ekonomike, ka insistuar në arritjet e saj për shtrirje të sovranitetit në çdo cep të Kosovës. Po ashtu, nominalisht ato e kanë dalluar vetën edhe sa i përket orientimit ideologjik. Partia në pushtet e ka identifikuar vetën si të majtë kurse ato opozitare si të djathta.

Mirëpo, përtej këtyre dallimeve formale politike, ekziston një ndryshim i dukshëm sa i përket mënyrës se si strukturoret pushteti brenda tyre dhe që mbi këtë bazë synohet të shtrihet ndikimi i jashtëm Dhe në këtë drejtim Lëvizja Vetëvendosje është e veçantë(nuk po them se është me demokratike) në raport me të gjitha subjektet tjera.

Ky subjekt bazohet kryesisht në pushtetin dhe kultin e Albin Kurtit. Anëtarësia e kësaj partie është e mishëruar në mënyrë “autentike” me liderin. Kurse mekanizmat ndërmjetësues në mes të bazës dhe hierarkisë partiake janë pa ndonjë peshë specifike reale. Kjo edhe është arsyeja që deri më tani në Vetëvendosje nuk kanë pasur ndikim skizmat e brendshme, sikur bie fjala në rastin e LDK me daljen e Nexhat Dacit,apo së voni të Vjosa Osmanit. Përkundrazi, ajo është forcuar nga këto çarje. Mirëpo, në momentin që konsumohet imazhi politik i Albin Kurtit, atë nuk mund ta zëvendësojë asnjë autoritet tjetër brenda partisë dhe ky formacion do t’i nënshtrohet dekompozimit politik. Kjo parti e kultivon frymën e triparitetit politik në mes popullit, partisë dhe liderit. Model ky, që për shkak bjerrjes së autoritetit të partive tjera “tradicionale” i ka ofruar jo pak befnifite së parës, duke e shndërruar edhe Albin Kurtin, gjatë kësaj kohe në liderin më “karizmatik” popullor.

Në anën tjetër partitë opozitare për shkak të këtij deficiti liderist janë bazuar kryesisht në sigurimin e pushtetit nga mirëmbajtja e aleancave familjare. Dhe duke e shoqëruar këtë mentalitet “semi-feudal” me vellon e një gjuhe “teknokratike liberale”. Nuk është e rastësishme që në strukturat e tyre përfaqësuese dominojnë anëtarë të së njëjës familje. Djali dhe baba, nipi dhe daja, dhëndëri dhe mbesa, janë disa nga rastet me të dalluara. Apo edhe rekrutimi i jashtëm bëhet mbi bazën e lidhjeve të tilla “primare”. Djali i filan këngëtares pa asnjë identitet politik dhe publik, apo dhëndëri i një ish ministri shërbejnë si certifikatë për karrierë partiake. Baba i sportistit Zhegrova si në rastin e LDK-së, por edh atij Xhaka në PDK. Ndërkohë, ndaj këtij modeli tashmë as VV nuk është imune. Edona Llaloshi, pas Adriana Matoshit, është dekori i fundit “artistik” i saj.

Sidoqoftë, në linja të përgjithshme, kjo ndarje e sipër cekur tipologjike e ka diferencuar skenën politike në Kosovë në dy tabore kryesore. Në njërën anë për forcim të pushtetit personal të Albin Kurtit, i cili shkon paralelisht me dobësimin e subjektit, kurse në anën tjetër për konservim të pushtetit të familjeve të caktuara opozitare, që po ashtu si qasje shkon në dëm të forcimit politik të partisë si formacion demokratik . Të dy këto modele e bëjnë dallimin ndërmjet opozitës dhe pushtetit fals. Sepse asnjëra palë nuk është e interesuar për ndryshim të gjendjes, por për mirëmbajtje të raporteve aktuale.

Mirëpo, në rrethanat në të cilat ndodhemi, mënyra se si është e strukturuar Vetëvendosja mund t’i shërbejë si përparësi elektorale të paktën të rinia. Sepse sipas studimit të FES-it, “Shumica e të rinjve kanë pranuar se më me gjasë do të votojnë duke u bazuar në liderin e partisë (rreth 28 %), në krahasim me ideologjinë e partisë, programin zgjedhor të partisë ose koordinimin me familjen dhe miqtë – këto tri përgjigje të ndryshme kapin shifrën rreth 19 %”.

Natyrisht, tendenca që individi të shkëputet nga kërthiza e lidhjeve primare, drejt një autonomie personale ka qenë një prirje e botës moderne. Megjithatë, ky proces ka njohur edhe prapakthimit e tij. Ngase po ashtu njerëzit janë bërë më të vetmuar dhe të izoluar nga njëri tjetri, çfarë edhe ka ndikuar që në shumë raste të arratisen nga liria e fituar nën aurolën e liderëve “karizmatik”. Dhe kjo anomi sociale shpeshherë është shndërruar në ushqim të lëvizjeve populiste në botën e sotme. /TV Arbëria

Themes by WordPress