Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Dallimet  ndërmjet SHBA-së dhe BE-së për hapjen e Urës së Ibrit

Dallimet  ndërmjet SHBA-së dhe BE-së për hapjen e Urës së Ibrit

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Se ekzistojnë dallime transatlantike për Kosovën ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, u vërejt dhe në nismën e fundit të Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit. Është e vërtetë se si Uashingtoni ashtu edhe Brukseli në mënyrë kategorike  dhe njëzëri i kundërshtuan planet e pushtetit në Kosovë, për ndërruar statusin e Urës që e ndan qytetin e Mitrovicës në pjesën veriore dhe jugore. Këtë mospajtim unik e bëri të qartë vetë Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pas takimit me Kryeministrin Kurti.  Diplomati amerikan në vendin tonë, para mediave, nën emrin e vendeve te QUINT-it dhe KFOR-it, deklaroi se së bashku i kundërshtojnë këto plane. Mirëpo, nëse analizohet më vëmendje mënyra e arsyetimit dhe motivet e këtij insistimi ndërkombëtar shihet qartë se ekzistojnë  dallime ndërmjet tyre.

 

Kështu një sërë zyrtarësh të Bashkimit Evropian, duke filluar nga zëdhënësi Peter Stano, e derti i dërguari  i posaçëm i dialogut Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë kërkuar që çdo veprim para hapjes së Urës së Ibrit, duhet të negociohet në procesin e dialogut në Bruksel. Anashkalohej fakti, se tashmë dy vendet kanë marrëveshje të dakorduar që në vitin 2014 për këtë temë. Madje, siç shkruan Evropa e Lirë, një kërkesë e tillë ishte bërë e qartë që në raportin e progresit të vitit 2023 të Komisionit Evropian për Kosovën, ku thuhej se për çështjen Urës, paraprakisht duhet të ketë një “pajtim dhe koordinim në dialog”

 

Ndërkaq, në anën tjetër, shumica e zyrtarëve amerikanë, duke filluar nga Ambasadori Jeffrey Hovenier,  edhe përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit e kanë kundërshtuar këtë nismë, duke u nisur nga motive tjera. Ata e kanë potencuar rrezikun e përkeqësimit të sigurisë, që mund të ketë në ketë kohë ky veprim. Vetë përfaqësuesi i SHBA-ve në Prishtinë, në një interviste për REL deklaroi, “se ekziston një rrezik real lidhur me hapjen e urës në Mitrovicë në këtë kohë, që mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-s, përfshirë ata amerikanë”. Për më shumë sipas tij, “ura përfundimisht do të duhet të hapet për qarkullim të automjeteve dhe kjo gjë, ishte pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja” Kurse për rrezikun në përshkallëzimin e tensioneve që mund t’i implikojë ky akt,  ai ka deklaruar se ja ka kumtuar edhe Presidentet Vjosa Osmani.

 

Pra shihet qartë se për BE-në  në këtë mënyrë synohet zvarritja pafund e të njëjtit proces, kurse për SHBA-në shmangia me çdo kusht e pasojave të padëshiruara në këtë fazë delikate.

 

Ndërkohë, këtu duhet kujtuar se kjo nuk është hera e parë që Brukseli dhe Uashingtoni kane dallime ndërmjet vete për Kosovën. Deri sa i pari nuk e ka potencuar njohjen e ndërsjellë si qëllim final të dialogut, i dyti në vazhdimësi ka pohuar se synimet normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve duhet të përfundojë më njohje reciproke. Mirëpo, mjerisht, kryeministri Kurti, në vazhdimësi kishte shfaqur simpati më të madhe për BE-nw se sa për SHBA-në. Madje, në një rast ai e kishte deklaruar se Kosova nuk është Meksikë, por është në Evropë, duke aluduar kështu,  se fati i saj politik nuk ka pse plekset me atë të SHBA-së. Në anën tjetër, nuk është se nuk ka ekzistuar edhe një mbështetje diplomatike e vendeve të veçanta evropiane për liderin e Vetëvendosjes. Madje Kurti në saje të kësaj mbështetje synonte ta kompensonte mungesën e raporteve me SHBA-të, kurse të parët  nëpërmjet forcimit të Kurtit ta minonin ndikimin e Amerikës në Kosovës, si e pjesë e planeve me të gjëra strategjike për ta minuar atë në tërë Evropën dhe forcimit të bashkëpunimit me Rusinë. Por këto plane u shkallmuan nga agresioni brutal i Rusisë në Ukraine.

 

Dhe ja ku jemi tash me planin franko-gjerman  për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që nuk e parasheh njohjen dhe me zhgënjimin e SHBA-së, që Kosova po i përmbys mundësitë që ju dhanë nga ajo për konsolidim ndërkombëtar të shtetesisë. Dhe shqetësimit të saj vetëm për ta mbajtur nën kontroll situatën për shkak të vatrave tjera të nxehta gjeopolitike në botë. /Arbëria TV/

Më shumë nga Kasolli

 

 

 

Themes by WordPress