Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Dallimet e (pa)tejkalueshme shtetërore ndërmjet presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti

Dallimet e (pa)tejkalueshme shtetërore ndërmjet presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti

Shkruan: Afrim Kasolli

Para pak dite, presidentja Osmani, më shumë se asnjë herë tjetër më parë, u shpreh me një gjuhë të ashpër politike ndaj atyre me të cilët e kanë ndarë pushtetin. Duke marrë si shkas, një deklarate e Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, se nuk kanë mundur ta informojnë atë rreth zotimit të ri të ministrisë së Punëve të Jashtme ndaj Këshillit të Evropës, para takimit të Këshillit Ministror të kësaj organizate, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e para e shtetit e akuzoi Qeverinë se i ka shkelur parimet e dialogut me Serbinë, sepse me këtë veprim e kanë nxjerr nga pakoja e Marrëveshjes bazike me Serbinë këtë entitet. Pra me një fjalë i kanë shërbyer agjendës së Presidentit serb, Aleksandër Vuciq.

Sidoqoftë, kur kanë kaluar rreth një javë nga kjo armiqësi e hapur publike, duket sikur të dyja palët kanë reflektuar dhe janë penduar për atë situatë. Kështu, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se “nuk beson që ekzistojnë dallime të patejkalueshme mes tij dhe krerëve tjerë shtetërorë, përfshirë edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ndërkohë, kjo e fundit, ka pohuar se dallimet mes krerëve shtetërorë janë te tejkalueshme kur interesi shtetëror dhe qytetar vihet mbi të gjitha, dhe se nuk ka luftë politike me Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti. Sepse sipas saj, “temat e interesit nacional nuk janë detaje të parëndësishme, janë tema që kërkojnë kontributin e secilit prej nesh. Kur ulemi së bashku e vendosim, atëherë domosdoshmërisht rezultati do të jetë i mirë, siç ka dëshmuar historia për këto 25 vjet”.

Mirëpo, justifikime të tilla përkundër që në shikim të parë duken pajtuese, në esencë dëshmojnë se dallimet ndërmjet Kurtit dhe Osmanit janë thelluar, duke e përdorur kauzën shtetërore si pretekst për këto armiqësi.

Fillimisht, antagonizmat ndërmjet tyre paskan lindur për çështje te interesit nacional, që sipas Osmanit nuk janë detaje të parëndësishme. Që i bie, se Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Albin Kurti i paska trajtuar në mënyrë triviale tema të tilla. Çfarë edhe ka sjellur reagimin e saj. Por që situata të tilla të shmangen në të ardhmen instancat tjera të pushtetit në Kosovë duhet të veprojnë sipas asaj strategjie që politika e Kosovës ka operuar mbi dy dekada.

Por është pikërisht kjo sjellje e ish-lidershipit të vendit sidomos në politikën e jashtme që është kritikuar në vazhdimësi nga kryeministri Kurti. Madje, në disa intervista edhe kohën e fundit, ai ka pohuar se para se ta merrte pushtetin, këtë segment të politikës e ka karakterizuar qasja “një kahore”, ku shteti ynë vetëm kishte dhënë pa marr asgjë në këmbim. Dhe se vetëm me ardhjen e tij në krye të vendit, tash diplomacia i është nënshtruar parimit fundamental të marrëdhënieve ndërkombëtare, si “marrje dhe dhënie” dhe si e tillë është vendosur mbi parimin “dy kahor” të veprimit.

Pra në këtë përpjekje për t’u pajtuar publikisht, Vjosa dhe Albini, treguan edhe një herë se sa të përçarë janë, sepse ajo çka për njërin është dështim që fqinjëron deri në kufijtë e tradhtisë kombëtare dhe shtetërore, për tjetrën është sukses historik. /TV Arbëria

Themes by WordPress