Nesër nga ora 15:00, Shqipëria do të përballet kundër Kroacisë.
Trajneri kroat, Zlatko Daliq, ka folur për lojën në një konferencë për media.
Daliq u shpreh se Shqipëria nuk është në nivelin e Spanjës, por meriton shumë respekt.
“Ata janë të motivuar dhe të organizuar, duhet të jemi të durueshëm dhe të kujdesshëm. E dimë që synimi ynë është të fitojmë, do të jemi më sulmues, duam të bëjmë më mirë. Kundër Spanjës kishim edhe topin, kishim më shumë raste, por tani duhet të jemi edhe më mirë. Do të ketë ndryshime në përbërje, do ta vendosim më pas”, tha Daliq në konferencën e mbajtur për media.
57-vjeçari theksoi se ndeshja kundër “Kuqezinjëve” është shumë e rëndësishme dhe se këtë e kishte ditur para se të niste turneu.
Mediat kroate shkruajnë se Zlatko Daliq, duhet të luftojë për fitore, sepse çdo rezultat tjetër do të përbënte problem për kalimin e kroatëve në fazën tjetër.
Kombëtarja e Kroacisë e ka humbur sfidën e parë në “EURO 2024”, kundër Spanjës me rezultat 3:0.
Humbje pësoi edhe Shqipëria kundër Italisë, me rezultat 2:1.
Përballja Kroaci-Shqipëri, do të zhvillohet në Hamburg në stadiumin “Volksparkstadion”.