Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Daçiq thotë se Cameron duhet të “dënohet ashpër” për “deklaratat hipokrite” në Kosovë

Daçiq thotë se Cameron duhet të “dënohet ashpër” për “deklaratat hipokrite” në Kosovë

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha sot se deklarata e ministrit të Jashtëm britanik David Cameron se Britania e Madhe do të ndihmojë Kosovën të marrë njohje të reja, është jashtëzakonisht hipokrite dhe meriton dënimin më të ashpër.

Daçiqi kritikoi Cameronin se pse i njëjti “nuk tha asnjë fjalë” se kryeministri Albin Kurti dhe Kosova “refuzojnë ta zbatojnë Marrëveshjen e Brukselit” në lidhje me Asociacionin.

Ai tha po ashtu se ministri i Jashtëm britanik “nuk tha asnjë fjalë për terrorin dhe dëbimin e dhunshëm të më shumë se 200 mijë serbëve, si dhe për shkatërrimin e kishave dhe manastireve të krishtera serbe nga mesjeta”, ndërkaq i njëjti i premton Kosovës “ndihmë me njohje të reja dhe pranim në institucionet ndërkombëtare”, shkruan “Tanjug”.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, tha të enjten në Prishtinë se Britania e Madhe do ta ndihmojë Kosovën në aspiratat e saj duke përmendur këtu procesin e njohjeve të reja.

Gjatë një deklarate para mediave, i shoqëruar nga ministrja e jashtme Donika Gërvalla, Cameron theksoi rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor duke thënë se Britania e Madhe po investon për këtë.

/TV Arbëria

Themes by WordPress