Organizata joqeveritare Demokraci Plus (D+) që operon në Kosovë ka kërkuar që Ministria e Arsimit (MAShTI) dhe Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr) në kuadër të MAShTI-it që të anulojnë dy aktivitetet e prokurimit për shërbime konsulente, meqë kjo është kundërshtim me Ligjin dhe Rregulloren nr. 002/2024 për Prokurim Publik.
Ministria e Arsimit, sipas Demokraci Plus, në dhjetor të vitit të kaluar ka iniciuar tender për angazhimin e një kontraktori në divizionin e burimeve njerëzore, me vlerë të parashikuar 14 mijë 400 euro me kohëzgjatje 10 muaj;
AAAPARr po ashtu, sipas Demokraci Plus, në dhjetor të vitit 2024 ka iniciuar tender për angazhimin e tetë konsulentëve të jashtëm për nevoja të AAAPARs-së, me vlerë të parashikuar 33 mijë e 600 euro me kohëzgjatje 12 muaj.
“Rregullorja e Prokurimit Publik përcakton që angazhimi i konsulentëve bëhet vetëm për prokurimin e shërbimeve të veçanta të cilat nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit sipas Ligjit për Zyrtarët Publik. Vlen të ceket se institucionet janë duke rekrutuar staf të rregullt përmes procedurave të jashtme ashtu siç kërkon Ligji për zyrtarët publik dhe kjo mund të vërtetohet përmes Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzorë (SIMBNJ)”.
Rregullorja për Prokurimin Publik, sipas Demokraci Plus, përcakton që kontraktimi i konsulentëve duhet të bëhet “për nevoja specifike që stafi ekzistues i institucionit nuk mund t’i mbulojë”.
“Megjithatë, MAShTI dhe AAAPARr kanë zgjedhur të angazhojnë konsulentë për shërbime të përditshme administrative. Këto përfshijnë, ndër të tjera, këshilla për zbatimin e legjislacionit dhe menaxhimin e burimeve njerëzore në MAShTI, si dhe zbatimin e programeve mësimore dhe metodologjive të reja në përputhje me standardet dhe ligjet për arsimin në AAAPARr”, potencohet në reagim.
Shpenzimi i rreth 50 mijë eurove në angazhimin e nëntë personave për një periudhë 10 dhe 12 mujore, sipas organizatës joqeveritare, është keqmenaxhim i parasë publike dhe nuk ofron qëndrueshmëri në angazhim të personelit për kryerjen e punëve në ministri dhe agjenci. /Gazeta10