Shkruan: Agron Hoti
SHBA po ndërton dhe fuqizon partneritete dhe aleanca për ta mbajtur Rusinë përballë luftës në Ukrainë sa më të vetmuar dhe sa më të izoluar nga pjesa tjetër e botës. Vizita e Sekretarit Blinken më 24-26 prill 2024 në Kinë kishte pikërisht këtë qëllim që Kina mos ta mbështeste më në asnjë mënyrë agresionin e Rusisë në Ukrainë. Vizita e Sekretarit Blinken është pritur shumë mirë në Kinë duke marrë parasysh që kjo e fundit ka filluar të rrëshqasë drejt një krize ekonomike. Prandaj, asgjë s’kishte qenë më e mirësardhur në Kinë në këtë kohë sesa vizita e Sekretarit Blinken.
Kjo është hera e dytë që SHBA – në funksion të ndërtimit dhe fuqizimit te aleancave e partneriteteve – e tërheq Kinën pas vetes, edhe atë pikërisht kur Kina kishte dhe ka nevojë më së shumti për të shpëtuar ekonomikisht.
Hera e parë kishte ndodhur në vitet e 70-ta kur Kina kishte rënë në krizë ekonomike dhe për të dalë nga ajo situatë kishte ndërtuar partneritet me SHBA duke e lënë të vetmuar BRSS-në në promovimin e komunizmit në glob, duke iu kthyer kështu joformalisht hapjes ekonomike dhe kapitalizmit të drejtuar nga SHBA.
Dhe kishte qenë mu kjo afërsi sino-amerikane ajo që e kishte përshpejtuar rënien e komunizmit në glob. Pas kësaj goditjeje, kumunizmi kishte rënë, BRSS ishte shpërbërë dhe pjesa më e madhe e Evropës ishte çliruar nga BRSS.
Në këtë prizëm do të mund të lexohej edhe vizita e Presidentit Kinez në Serbi, e cila ndodhi menjëherë pas vizitës së Sekretarit Blinken në Kinë. Një Serbi në marrëdhënie të mira me Kinën do të ishte interes strategjik i SHBA-së në kohën kur kjo e fundit po bën çmos që Rusisë t’ia pakësojë aleatët.
Një Serbi në raporte të mira me Kinën i bie njëkohësisht në raporte të mira edhe me SHBA dhe kjo automatikisht do të thotë raporte të këqija me Rusi. Një Serbi në raporte të mira me Kinën dhe SHBA do të thoshte më pak kërcënim, nëse fare, për rajonin e Ballkanit Perëndimor si njëri ndër rajonet më problematike në glob. Vetë mosreagimi i BE-së kundrejt raporteve më të fundit serbo-kineze, ishte tregues që Serbia është brenda projeksioneve afatgjata të SHBA-së.
Fakti që ushtarakë të lartë të NATO-s marrin pjesë në stërvitjet ushtarake të ushtrisë serbe, tregon më së miri për përafrimin gradual të Serbisë me Perëndimin. Sa më afër që Serbia afrohet me Kinën e kthyer kah SHBA aq më shumë do të largohet nga Rusia. Një Serbi e larguar nga Rusia dhe në raporte të mira me SHBA do të heqë dorë nga destabilizimi i Ballkanit Perëndimor.
Se a do të dalë vizita e Presidentit Kinez në Serbi të jetë shtyrë nga SHBA do të kuptohet jo shumë larg nga kahja që do të marrin raportet e Serbisë me Rusi.