Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Conte pezullon bisedimet me Tottenhamin për kontratë të re

Conte pezullon bisedimet me Tottenhamin për kontratë të re

​E ardhmja e Antoni Contes, me Tottenhamin është vënë në dyshim serioz pasi rrugët e tyre mund të ndahen shumë më shpejtë se sa që pritej.

Eksperti i transferimeve të “Sky Sport Italia”, Gianluca Di Marzio, sqaron se Antonio Conte i ka pezulluar bisedimet për kontratën e re me Tottenhamin, por mendon se tekniku italian do të largohet në fund të sezonit.

Ai tani ka sqaruar pozicionin e trajnerit në Londrën Veriore duke pretenduar se i ka lënë në pritje bisedimet për kontratën e re për arsye të njohura tashmë si private.

Conte nënshkroi një marrëveshje 18-mujore me skuadrën angleze në nëntor 2021, kështu që kontrata e tij skadon më 30 qershor 2023.

Ai së fundmi ka zbuluar, në një intervistë për “The Guardian”, se po përballet me vështirësi personale këtë sezon. Është më se e kuptueshme duke qenë se tre nga miqtë e tij më të ngushtë, Sinisa Mihajlovic, Gianpiero Ventrone dhe Gianluca Vialli kanë vdekur muajt e fundit.

“Sigurisht, ky sezon është një sezon i vështirë nga aspekti personal. Të humbasësh në një kohë kaq të shkurtër tre persona që i njihja mirë nuk ishte e thjeshtë. Kur kjo situatë ndodh, ju sjell reflektime të rëndësishme, ” tha ai .

“Shumë herë mendojmë dhe i kushtojmë shumë rëndësi punës tonë dhe harrojmë familjen. Ne harrojmë se duhet të kemi më shumë kohë për ne. Ky sezon po më bën të kem një reflektim të rëndësishëm për të ardhmen time.”, theksoi Conte.

Di Marzio beson se, duke pasur parasysh rrethanat, Conte do të largohet nga Tottenham në fund të sezonit.

Conte është lidhur me një rikthim në Juventus , por Massimiliano Allegri është nën kontratë deri në vitin 2025 dhe bardhezinjtë po përballen me një të ardhme të pasigurt pas një dënimi prej 15 pikësh në Serie A, e cila mund të çojë në një përjashtim nga garat evropiane.

/TV Arbëria