Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > CNN: Me largimin e diktatorit të Sirisë, rebelët tani duhet të mësojnë të qeverisin

CNN: Me largimin e diktatorit të Sirisë, rebelët tani duhet të mësojnë të qeverisin

Zhurmat e të shtënave festive mbushën rrugët e Damaskut në orët pas rënies së regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

Por skenat ngazëllyese në fundjavë që përshëndetën fundin e një gjysëm shekulli tiranie nuk mund ta maskonin shkallën e sfidës me të cilën përballen rebelët islamikë fitimtarë, avancimi i rrufeshëm i të cilëve në kryeqytetin sirian tërhoqi vëmendjen e botës.

Këta rebelë – të udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir Al-Sham (HTS) – tani duhet të përpiqen ta bashkojnë një vend të ndarë nga më shumë se një dekadë lufte civile, në të cilën mbesin dhjetëra milici të armatosur rëndë dhe mbetje të regjimit të vjetër.

Rebelët e kishin ëndërruar këtë ditë prej vitesh, por edhe ata duket se janë befasuar nga shpejtësia dhe lehtësia e përparimit të tyre.

Tani nxitimi i tyre është ta mbajnë kapakun e kutisë së Pandorës së Sirisë, ta shmangin një vakum pushteti dhe ta parandalojnë llojin e kaosit që pothuajse në mënyrë të pashmangshme lind kur një regjim 50-vjeçar rrëzohet brenda pak ditësh.