Shoqata e Transportit të Udhëtarëve në Kosovë ka shpallur bojkot ndaj hyrje-daljeve në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, duke shprehur pakënaqësi të thellë për rritjen e papritur dhe të konsiderueshme të tarifave që menaxhmenti i stacionit ka vendosur pa ndonjë paralajmërim paraprak.
Sipas shoqatës, këto tarifa janë rritur deri në 80 për qind, duke e bërë shumë të vështirë funksionimin normal të operatorëve të transportit dhe duke rrezikuar drejtpërdrejt punën e tyre.
Përfaqësuesit e transportuesve kritikojnë ashpër mungesën e komunikimit dhe konsultimeve me ta para marrjes së këtij vendimi, duke theksuar se kjo sjellje po rëndon mbi bizneset e tyre dhe po krijon situata të paqëndrueshme në sektorin e transportit publik.
Alban Fazliu nga Agjencioni “Albani Tours” për TV ARBËRIA, ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me këtë rritje të papritur të çmimeve, duke theksuar se tarifa për peronizim është ngritur nga 10 në 14 euro, ndërsa parkingu për autobusë nga 3 në 5 euro, pa asnjë konsultim apo njoftim paraprak.
Ai ka theksuar se këto ndryshime të njëanshme po krijojnë pasiguri dhe vështirësi të mëdha për operatorët e transportit, të cilët ndihen të pafuqishëm përballë këtij vendimi./TV ARBËRIA./
