Mesatarja e çmimeve botërore të ushqimeve të llogaritura nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara (FAO) u ul në gusht, sipas një raporti të publikuar të premten.
Lajmi u bë i ditur nga gazeta franceze “Le Figaro”.
Megjithatë, ka ende kontraste të rëndësishme midis mallrave: gjalpi po rritet dhe çmimi i sheqerit po ulet.
Indeksi i FAO-s, i cili ndjek ndryshimet në çmimet ndërkombëtare për një shportë mallrash, ishte në gusht “1.1 për qind më i ulët se vlera e regjistruar një vit më parë dhe 24.7 për qind më i ulët se niveli i tij rekord (…) arritur në mars 2022”, pas pushtimit rus të Ukrainës.
Kjo mesatare maskon pabarazitë: “Rënia e indekseve të çmimeve për sheqerin, mishin dhe drithërat kompensojnë një rritje të atyre për vajrat vegjetale dhe produktet e qumështit”, thekson organizata.
Në detaje, çmimet botërore të gjalpit regjistruan një “rekord absolut, të nxitur nga pasiguria në rritje për rezervat e qumështit në Evropën Perëndimore”.
Indeksi i vajit vegjetal arriti nivelin më të lartë që nga janari 2023 për shkak të tensioneve mbi vajin e palmës, prodhimi i të cilit në vendin kryesor prodhues, Indonezi, “mbeti nën potencialin e tij të plotë”.
Megjithë një korrje të dobët në Evropën Perëndimore, çmimet e grurit vazhduan të bien muajin e kaluar “për shkak të kërkesës së ngadaltë ndërkombëtare dhe konkurrencës së fortë midis eksportuesve, veçanërisht atyre në Detin e Zi, çmimet e të cilëve janë konkurruese”.
“Prodhimi më i lartë se sa pritej i grurit në Argjentinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte një tjetër faktor në rënien e çmimeve”, shtoi FAO.
Sa i përket sheqerit, ai ra në nivelin e tij më të ulët që nga tetori 2022, një rënie që organizata e shpjegon “kryesisht me përmirësimin e perspektivave të prodhimit për sezonin 2024-2025 në Tajlandë dhe Indi, pas reshjeve të favorshme që përfituan nga kulturat e kallam sheqerit”.
Çmimet e mishit gjithashtu u lehtësuan, me përjashtim të viçit.