Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për dy ditë ka marrë pjesë në samitin e Paqes për Ukrainën.
Osmani ka takuar fillimisht Zëvendës Presidenten e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris.
Sipas njoftimit, Osmani tha se Harrisit I “përcolla mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e palëkundur dhe miqësinë tonë të përjetshme!”.
Pas këtij takim, presidentja Osmani është takuar edhe me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Biden, Jake Sullivan, dhe ambasadorin Michael Carpenter- Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri të Shtëpisë së Bardhë.
Me ta ka biseduar për rritjen e bashkëpunimit.
“Një takim i rëndësishëm me Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Biden, z. Jake Sullivan, dhe Ambasadorin Michael Carpenter- Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri të Shtëpisë së Bardhë, mbi rolin jetik të Shteteve të Bashkuara për paqe dhe siguri të qëndrueshme si dhe për rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit tonë. ”, ka shkruar ajo.
Fjalimi i Osmani në Samitin e Paqes
Gjatë fjalimit të saj në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani bëri thirrje të forta për solidaritet dhe angazhim të fuqishëm ndërkombëtar në përgjigje të agresionit të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë.
“Që nga shkurti i 2022-ës bota ka parë një agresion që jo vetëm kërcënon sovranitetin e një kombi, por edhe shpirtin e Evropës”, tha ajo më tej.
Osmani ka thënë se agresioni i Rusisë u ka kujtuar të gjithëve në Kosovë vuajtjen e tmerrshme që sjell lufta dhe radhën e tyre për të ndihmuar.
“Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës u ka kujtuar të gjithëve në vendin tim dy gjëra, e para vuajtjen e tmerrshme që lufta sjell, dhe e dyta që tani është radha jonë që të dhurojmë”, tha Osmani.
Osmani ka rrëfyer edhe përvojat e saj të fëmijërisë gjatë luftës, duke i bërë thirrje botës që të mos mbyllë sytë para vuajtjeve të popullit ukrainas, si dikur me Kosovën.
“25 vjet më parë, isha një fëmijë i luftës i dëbuar nga shtëpia i fshehur nga bombardimet e agresorit në male dhe mbajta një radio të vogël në dorë për të dëgjuar së bashku me shumë fëmijë të tjerë udhëheqësit e mi si ju”, tha Osmani.
“Ju erdhët për të na shpëtuar, vendi juaj nuk i mbylli sytë para vuajtjeve tona. Ju erdhët për t’na shpëtuar dhe më dhatë një shans të kthehem tani pas 25 vitesh dhe t’ju falënderoj që u bëtë shpëtimtari ynë. Uroj që ju t’u jepni të njëjtin shans fëmijëve të Ukrainës”, tha presidentja.