Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Çka thanë vendet mike për Kosovën në Këshill të Sigurimit?

Çka thanë vendet mike për Kosovën në Këshill të Sigurimit?

Këshilli i Sigurimit i OKB-së debatoi mbrëmë për situatën në Kosovë. Kjo mbledhje u ftua me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit serb.

Gjatë diskutimit thuajse të gjitha shtetet mike të vendit tonë, pa përjashtim e të cilat janë meritore në procesin e shtet-ndërtimit e kritikuan këtë veprim të Prishtinës. Ato e quajtën si të njëanshëm dhe që nuk është marrë në konsultim paraprak me komunitetin lokal serb si dhe insistuan një periudhë më të gjatë tranzicioni.

Natyrisht, ato patën kritika edhe për Serbinë, se edhe pse katër muaj pas sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, sulmuesit mbetën ende të lirë në Serbi.

Me këtë rast, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime përshkallëzuese dhe t’i kthehen dialogut. Po ashtu, ajo bëri të ditur se vendimi i BQK-së ishte marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa konsultim të duhur me autoritet e Prishtinës.

Në fund, Ambasadorja amerikane në OKB, tha se ky institucion nuk duhet të jetë kanali për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. “Të jem e qartë, është dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe jo Këshilli i Sigurimit që duhet të jetë kanal për të zgjidhur çështjet që lidhen me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

Në këtë linjë pak a shumë ishte edhe Mbretëria e Bashkuar. Përfaqësuesi i saj në Këshill të Sigurimit pohoi se “Për çështjet më të reja, përfshi atë të rregullimit të valutave nga Banka Qendrore e Kosovës, ka pasur një mungesë të dukshme në konsiderimin e ndikimit të tyre ndaj komunitetit serb. Prandaj, bëhet e nevojshme që autoritetet e Kosovës të zhvillojnë një plan të qëllimshëm që do të garantojë vazhdimin e marrjes së të ardhurave për serbët e Kosovës dhe funksionalitetin e shërbimeve esenciale, deri në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë”.  

Në fund, Mbretëria e Bashkuar bëri thirrje për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe kërkoi që Kosova dhe Serbia të respektojnë zotimet ekzistuese të dialogut dhe të shmangin veprime të njëanshme.

Qëndrim kritik ndaj Kosovës për rregulloren BQK mbajti edhe Franca.

Përfaqësuesi i Francës në OKB, Nicolas de Rivière tha se “Vendet duhet të përmbahen nga veprimet që nxitin tensione. Për këtë Franca ka shprehur shqetësimin për vendimin e BQK-së dhe mbylljen e disa komunave serbe në Kosovë. Kjo do të ndikojë në jetën e përditshme të serbëve sidomos në qasjen në shërbime sociale. Franca kërkon pezullimin e vendimit në mënyrë që të ketë një periudhë tranzicioni”.

Ai tha se statusi i komunave serbe duhet të zgjidhet përmes Asociacionit. Dhe po ashtu dënojmë sulmin në Banjskë.

Shqetësim ndaj rregullores së BQK-së ka shprehur edhe Sllovenia. Përfaqësuesja e këtij shteti në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kërkoi që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të kenë ndikim në normalizimin e raporteve.

Kërkesës për shtyrje për një periudhë tranzitore të rregullores së BQK-së iu bashkua edhe Zvicra. Ky shtet tha se ndan shqetësimet lidhur me rregulloren e BQK-së, sa i përket njoftimit të publikut me të, por pranoi se autoritetet kanë vendosur një periudhë tranzitore. Zvicra kërkoi që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit dhe Aneksin e zbatimit të saj si dhe të përfshirët në sulmin në Banjskë të mbahen përgjegjës.

/TV Arbëria