Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Çka tha Fatmir Limaj për të ardhmen e Nismës pas negociatave të dështuara?

Çka tha Fatmir Limaj për të ardhmen e Nismës pas negociatave të dështuara?

Në një paraqitje të pazakontë para mediave mbrëmjen e së dielës, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, njoftoi se përpjekjet për t’u bashkuar me një subjekt tjetër politik para zgjedhjeve të 28 dhjetorit kanë dështuar. Ai u shpreh se, pavarësisht vullnetit të tij dhe bashkëpunëtorëve, bashkimi i shumëpërfolur me Partinë Demokratike të Kosovës nuk është arritur.

Limaj theksoi se mbështetësit e tij – nga veteranët e deri te familjet e dëshmorëve dhe aktivistët – kishin pritur një lajm të mirë, por se ky bashkim ka mbetur vetëm një mundësi e humbur në këtë moment.

Megjithatë, ai u deklarua i vendosur se projekti për bashkim nuk ka marrë fund. Sipas tij, një rezultat pozitiv në zgjedhje do ta hapte rrugën për krijimin e një blloku të përbashkët opozitar me PDK-në.

“Nëse Nisma do të jetë në parlament me grupin e saj, atëherë bashkimi do të bëhet realitet”, u shpreh Limaj, duke shtuar se vetëm një opozitë e konsoliduar mund të sjellë ndryshime në qeverisje.

Duke folur për garën zgjedhore, ai pranoi se kalimi i pragut është një sfidë serioze për partinë që këtë herë garon e vetme, por mbeti optimist se me mbështetjen e qytetarëve kjo sfidë mund të tejkalohet.

“Kam kaluar qindra pragje, s’ka pasë prag që më ka ndalë. Më ndihmoni ta kaloj pragun ligjor”, deklaroi ai.

Në fund, Limaj u shpreh se ndonëse ndihet i zhgënjyer që nuk arriti të sjellë lajmin që pritej, mbetet “zemërplotë” me angazhimin dhe mbështetjen që ka marrë gjatë kësaj periudhe./TVArbëria