Nga Agron Hoti
Biseda e djeshme Trump – Putin
Biseda e djeshme mes Kryetarit Trump dhe Putin nxori në pah atë që SHBA e ka mision historik: që resurset e mëdha ruse, pra më të mëdhatë në glob, ose të jenë të pavarura (pavarësisht se a janë aktualisht të pa- apo nënshfrytëzuara) ose të jenë të lidhura para se gjithash me ekonominë e SHBA-së e jo me Evropë, Kinë, Japoni, Indi apo Botë Islame. Në këtë kuadër duhet kuptuar përpjekjet e SHBA-së për të arritur marrëveshje paqësore mes Rusisë dhe Ukrainës në kohën kur tensionet me Kinën janë në rritje dhe do të jenë afatgjata.
Parandalimi i aleancave
Lufta në Ukrainë po bëhet për ta parandaluar një aleancë evropiano-ruse sipas kushteve ruse që po ngjizej gjithnjë e më shumë nga viti 2000 deri në 2022. Mu për këtë arsye ishte bërë edhe Lufta e Dytë Botërore (L2B), pra për ta parandaluar një aleancë evropiano-sovjetike sipas kushteve të evropianëve.
Lufta në Lindje të Mesme po bëhet për ta parandaluar një aleancë islamo-ruse sipas kushteve ruse. Kjo aleancë (islamo-ruse) ka filluar të parandalohet nga SHBA që nga vitet e 60-ta dhe 70-ta kur në Lindje të Mesme ishin konfirmuar rezervat më të mëdha energjetike në glob.
Një luftë kinezo-tajvaneze apo amerikano-kineze në Detin e Kinës Jugore do të ishte parandalimi i radhës i një aleance të mundshme kinezo-japoneze sipas kushteve kineze, kjo sepse nëse Kina do të arrinte ta pushtonte Tajvanin dhe ta fuste nën kontroll Detin e Kinës Jugore, atëherë shumë shpejtë radhën e pushtimit kinez do ta kishin Japonia, Koreja Jugore dhe tërë Azia Juglindore.
Një kombinatorikë e tillë kineze do ta rrezikonte seriozisht sigurinë nacionale të SHBA-së në Oqeanin Paqësor ashtu siç do t’i këpuste SHBA-së çfarëdo lidhje me Azi përmes Oqeanit Paqësor. Të njëjtën gjë kundër SHBA-së kishte provuar ta bënte edhe Japonia gjatë L2B, por nuk ia kishte dalë.
Përpjekjet e ish-Administratës Biden vitin e kaluar për ta joshur Kinën me programe ekonomike kishin për qëllim parandalimin e një aleance kinezo-ruse sipas kushteve kineze, saktësisht siç kishte vepruar SHBA në vite të 70-ta kur e kishte afruar Kinën dhe izoluar BRSS-në duke parandaluar kështu një aleancë sovjetiko-kineze sipas kushteve sovjetike.
Me fjalë të tjera SHBA ndërton aleanca e partneritete me shtete mike, si dhe parandalon të tilla mes shteteve armike sidomos në Euroazi, pra në masën tokësore më të madhe dhe më të pasur në glob.
Lufta në disa fronte
Lufta Rusi-Ukrainë praktikisht ka filluar në vitin 2014. Gjatë këtyre 11 viteve, SHBA e ka parë se deri ku mund të shkojë Rusia në pushtimin e Ukrainës, pra e ka kuptuar se potenciali ushtarak i Rusisë lë për të dëshiruar. Dhe meqë Rusia e dëshmoi në Ukrainë se nuk i ka më kapacitetet për ta rikthyer lavdinë ruse në Evropë Lindore dhe pse jo edhe në Lindje të Mesme, atëherë SHBA është e sigurtë që Rusia nuk mund ta pushtojë më Evropën për ta rrezikuar, kështu, krahun lindor të saj në Atlantik.
Mbi këtë bazë, çfarëdo marrëveshje paqësore mes Rusisë dhe Ukrainës e ul rëndësinë e NATO-s që për mision kishte ruajtjen e Oqeanit Atlantik nga çfarëdo invazioni sovjetik/rus. Ulja e rëndësisë së NATO-s e rrit nevojën e Evropës për të ndërtuar forca të veta ushtarake, të fuqishme së paku sa të parandalojnë çfarëdo depërtimi të mundshëm rus, turk apo arab në tokë të Evropës. Por, sipas SHBA-së edhe Rusia, Turqia dhe arabët duhet të kenë aq kapacitete ushtarake sa të jenë në gjendje të parandalojnë çfarëdo depërtimi evropian në Rusi, Turqi apo Lindje të Mesme.
Përderisa SHBA e ka të sigurtë krahun lindor të saj, pra Atlantikun, atëherë lirisht mund ta “shtrembërojë kapuçin” dhe të përqendrohet në vatra tjera krizash gjëkundi në glob. Çlirimi i Sirisë nga Irani i nxitur nga Rusia bashkë me vazhdimin e de-iranizimit të trojeve arabe përbën fitoren e radhës së SHBA-së në Lindje të Mesme. Çdo dobësim i mëtejmë i Iranit në toka arabe e ul rrezikun e daljes së Rusisë në Oqeanin Indian që është urë lidhëse mes Oqeanit Atlantik dhe Paqësor.
Ndalja e shpejtë e tensioneve mes Pakistanit dhe Indisë u bë me ndërmjetësimin amerikan, në mënyrë që në këtë luftë të mos përfshihej në asnjë mënyrë Kina që është në kufi me Indinë dhe Pakistanin, sepse përfshirja e Kinës do t’i hapte SHBA-së tri fronte lufte të përnjëhershme: 1) Evropë (Ukrainë), 2) Lindje të Mesme, dhe 3) Azi Qendrore-Jugore.
E një përfshirje e tillë në terma praktikë do të nënkuptonte që SHBA do të duhej të luftonte njëkohësisht (edhe pse jo vetë drejtëpërdrejtë) në tri fronte por kundër dy fuqive, Rusisë (në Ukrainë dhe Lindje të Mesme) dhe Kinës në Azi Qendrore-Jugore. Çfarëdo lufte e njëkohëshme e SHBA-së kundër Rusisë dhe Kinës (pavarësisht që SHBA nuk është e përfshirë vetë drejtpërdrejtë), do t’i bënte këto dy të fundit bashkë, diçka për të cilën SHBA mundohet ta parandalojë me çdo kusht.
Pse pikërisht tani marrëveshje paqësore Rusi-Ukrainë?
Sipas një artikulli të Peter Apps në Reuters të datës 19 maj 2025 me titull “SHBA-të përgatiten për një luftë të gjatë me Kinën që mund të godasë bazat dhe atdheun e tyre” thuhet se “zyrtarë të lartë amerikanë kanë deklaruar vazhdimisht se besojnë që Kryetari kinez Xi Jinping ka urdhëruar ushtrinë e tij të jetë gati për të pushtuar Tajvanin deri në vitin 2027, megjithëse ata thonë se nuk duket se është marrë ende asnjë vendim i drejtpërdrejtë për të urdhëruar atë sulm.”
Duke e parë se tensionet mes SHBA-së dhe Kinës janë në rritje, atëherë SHBA dëshiron që sa më shpejtë të arrihet një marrëveshje paqësore mes Rusisë dhe Ukrainës në mënyrë që të mbyllet ky konflikt. Kjo sepse SHBA-së në Tajvan me shumë gjasë do t’i duhet të futet vetë drejtëpërdrejtë në konflikt me Kinën, prandaj i duhet qetësi në zona tjera të globit si p.sh. në Evropë, Lindje të Mesme apo Azi Qendrore-Jugore.
Nuk duhet harruar asnjëherë se SHBA vetëm një herë ka luftuar vetë drejtëpërdrejtë në dy fronte të mëdha. Kjo ka ndodhur në Luftën e Dytë Botërore (L2B) kundër Gjermanisë Naziste në lindje dhe Japonisë në perëndim të saj. Që nga ajo kohë, SHBA e ka kuptuar që lufta në dy fronte të mëdha ka kosto jashtëzakonisht të lartë dhe është shumë e vështirë për t’u fituar.
Sot ka avansuar shumë teknologjia ushtarake në çdo cep të globit, ndaj një fitore e SHBA-së në dy fronte njëkohësisht do të ishte shumë e vështirë pa përdorimin e armëve bërthamore, diçka që si SHBA ashtu edhe të tjerët duan ta shmangin me çdo kusht, sepse një luftë bërthamore mes SHBA-së, Kinës, Rusisë, etj. dihet vetëm se si do të fillonte por jo se si do të përfundonte dhe me çfarë pasojash shkatërrimtare për njerëzimin.
Afrimi i SHBA-së me Rusi për ta izoluar Kinën
Pamundësia e Rusisë për ta pushtuar tërë Ukrainën e dëshmon që një marrëveshje paqësore mes Rusisë dhe Ukrainës do të jetë e pashmangshme dhe se ajo do ta ulte rrezikun rus në Evropë dhe kjo automatikisht do ta afronte Rusinë me SHBA-në para çdo konflikti të mundshëm më Kinën, kjo sepse Rusia shumë më e rrezikuar ndihet nga një gllabërim i mundshëm nga Kina sesa nga SHBA apo çfarëdo fuqi tjetër.
E qëllimi i SHBA-së është pikërisht ky: që Rusia të lidhet me ekonominë e SHBA-së dhe Perëndimit, në mënyrë që Kina të ngelet sa më e izoluar para çfarëdo konflikti të mundshëm me SHBA në Tajvan apo Detin e Kinës Jugore. Por se a do t’ia dalë SHBA të arrijë marrëveshje paqësore mes Rusisë dhe Ukrainës mbetet për t’u parë. Fakti që si Ukraina ashtu edhe Rusia nuk po mund t’i lëvizin më shumë vijat e frontit, e tregon që një marrëveshje është e mundshme.
Se si do të duket marrëveshja mbetet për t’u parë. Nëse Rusia do t’i ofrojë SHBA-së qasje në resurse të saj, sidomos në minerare të ndryshme të nevojshme për prodhime elektrike, atëherë gjasat që Krimea dhe rajonet lindore të Ukrainës t’i ngelen Rusisë janë më se reale.
Si do ta shohë Evropa një marrëveshje paqësore Ukrainë-Rusi?
Nëse Evropa dhe Ukraina do ta kundërshtonin një marrëveshje me Rusinë, sipas së cilës Rusia do ta merrte Krimenë dhe rajonet lindore të Ukrainës dhe nëse SHBA për shkak të kësaj qasjeje (të Evropës dhe Ukrainës) do të tërhiqej, atëherë kjo me automatizëm do të thoshte përshkallëzim i luftës mes Ukrainës dhe Rusisë me përmasa shkatërrimtare.
Në një situatë të tillë refuzimi evropian, e tërë Evropa do të mbërthehej në luftë kundër Rusisë. Kjo do të thoshte shkatërrim i një pjese të Evropës dhe Rusisë siç kishte ndodhur gjatë L2B, ku fitues në secilin variant do të ishte SHBA, territori i së cilës nuk do të prekej nga lufta. Në fund të luftës do të ishte prapë SHBA ajo e cila do t’i diktonte kushtet e paqes para një Evrope dhe Rusie të lodhur për një kohë shumë të gjatë.
Por, nëse do të ishte Rusia ajo e cila do t’i ikte çfarëdo marrëveshjeje paqësore me Ukrainën, atëherë gjasat që SHBA dhe Evropa ta mbështesnin edhe më fuqishëm Ukrainën janë më se reale. Një luftë sa më e gjatë e këtyre përmasave do ta lodhte aq shumë Rusinë sa do ta bënte shtet të papërfillshëm në rajon dhe glob.