Shkruan: Afrim Kasolli
Kur kanë mbetur edhe pak orë nga skadimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit/es së re të shtetit nga Kuvendi i Kosovës, Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, i është drejtuar deputetëve me kërkesën për ndryshime kushtetuese me synim që në vend të Kuvendit të parin e shtetit ta zgjedh populli me anë te votimit të drejtpërdrejt. Madje e njëjta ua ka dërguar edhe amendamentet për ta iniciuar një ndryshim të tillë.
Ndërkohë, Kryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu është solidarizuar plotësisht me këtë kërkesë të Vjosa Osmanit, kurse anëtari tjetër i Komisionit për Legjislacion nga Levizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi ka pohuar se tashmë ky trup i Kuvendit ka filluar shqyrtimin e amendamenteve të tilla.
Sidoqoftë, këtu duhet kujtuar se një pako e amendamenteve për këtë qëllim është e gatshme, sepse është përgatitur nga një Komision Parlamentar ad hoc gjatë legjislaturës 2011-2014. Madje të njëjtat janë vlerësuar edhe nga Gjykata Kushtetuese. Dhe kjo e fundit e ka dhënë veridiktin e saj mbi ato qe e kalojnë testin e kushtetutshmërisë dhe ato që nuk e kalojnë. Personalisht jam skeptik se do të mund të votohen këto ndryshime, ngase nevojitet edhe votat e 2/3 të pakicave përkundër asaj të shumicës. Dhe në keto rrethana duket e pamundur pajtimi i Listës Serbe me një nismë të tillë. Sepse e njëjta do ta zhvleftësonte fuqinë e saj politike në nje temë sikur se është zgjedhje e Presidentit.
Mirëpo, përtej këtyre vështirësive procedurale dhe juridike është me rëndësi të përmendet edhe “evoluimi” i qëndrimeve të partive politike në raport me këtë temë. Këtu duhet kujtuar se kundërshtarja kryesore e këtyre ndryshimeve kishte qenë Levizja Vetëvendosje me argumentin se në këtë mënyrë degradohet demokracia e Kosovës, nga angazhimi dhe votimi për çështje në atë për persona. Kurse sot pa asnjë hezitim kjo parti qenka pajtuar me këto skenar.
Mbase një dëshmi shtesë kjo se si qendrimi i partive politike nuk buron nga angazhimi për t’i mbrojtur parimet dhe bindjet, por është vetëm rezultat i kalkulimeve momentale politike. Dhe duke qenë se ato ndryshime derivuan nga marrëveshja politike atëbotë ndërmjet ish-kryministrit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të LDK-se, Isa Mustafa dhe atij të AKR-se Bexhet Pacolli duheshin kundershtuar me çdo kusht, e jo pse paskan qenë cenim i demokracisë në vetvete.