Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Çka na tregon fushata e partisë në pushtet për politikën e Jashtme, sa i përket mandatit të ardhshëm qeverisës?

Çka na tregon fushata e partisë në pushtet për politikën e Jashtme, sa i përket mandatit të ardhshëm qeverisës?

Shkruan: Afrim Kasolli

Në dallim nga partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, e ka filluar fushatën elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit pa prezantuar ndonjë program qeveritar, për periudhën 2025-2029. Në këtë kontekst, në mungesë të një dokumenti të shkruar, atëherë si referencë për atë se çka përfaqëson kjo parti sa i përket politikës së Jashtme, mund të merren disa sloganet, fjalimet dhe sulmet ndaj rivalëve politikë, që drejtuesit e saj janë duke i shpalosur në tubimet parazgjedhore.

Kështu, në tubimin e djeshëm në qytetin e Mitrovicës, kryeministri Kurti, ka pohuar se “aleanca me perëndimin është përdorë për ta forcuar ushtrinë dhe shtetin tonë më tej, ndryshe pra nga ata që sot janë në opozitë e që më herët e keqpërdornin këtë aleancë për ta ambalazhuar hajninë apo tradhtinë e tyre. Ata që dikur ishin në pushtet e keqpërdorën aleancën me perëndimin, prandaj sot janë larguar dhe s’do të kthehen më”. Pra për të parin e Qeverisë së Kosovës, nëse hipotetikisht do t’i fitojë pushtetin, do të zbatohet e njëjta qasje diplomatike që ka dominuar në këtë mandat qeveritar.

Këtu, vlen të theksohet se pikërisht, në saje të asaj strategjie që ka dominuar në të kaluarën, Kosova e siguroi çlirimin, pavarësinë (dy nga ngjarjet më kapitale historike), formimin e Ushtrisë si dhe avancimin ndërkombëtar shtetëror. Natyrisht, nuk është që nuk ka pasur gabime, mirëpo nuk mund të mohon sukseset.

Sidoqoftë, këto katër vite kane qenë vitet e humbura sa i përket raporteve me Perëndimin. Për herë të parë një drejtues Qeverie në Kosovë kishte marr, guximin ta etiketonte Sekretarin amerikan të Shtetit, se ka bërë deklarata naive dhe të padrejta. Të mos flasim për dështimin diplomatik për të mos e siguruar asnjë njohje të vetme ndërkombëtare. Për më shumë, përfaqësues të SHBA-ve, gjatë këtij mandati kanë deklaruar diçka që ka qenë e paimagjinueshme më parë, se tashmë Uashingtoni e ka humbur vullnetin dhe arsyen për të lobuar ndërkombëtarisht në favor të shtetit të Kosovës.

Po ashtu, gjatë këtij mandati janë bërë kompromiset më të dhimbshme për vendin, mirëpo pa marrë asgjë në këmbim. Kosova është pajtuar më Marrëveshjen bazike të Brukselit, Aneksin e zbatimit të Ohrit si dhe i është imponuar draft-statuti për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, si obligime ndërkombëtare, ku mos-zbatimi i tyre vetëm sa do ta mbaj peng agjendën euro-integruese, siç e dëshmoi edhe dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. Dhe ky dështim nuk erdhi si pasojë e lotimit të Serbisë kundër këtij procesi, por pikërisht për shkak të mosmarrëveëshjeve të Ksosovës me Perëndimin. Një gjë të tillë, pak para largimit e konfirmoi edhe ish-Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffy Hovenier, kur pohoi se sikur Prishtinë ta kishte bashkëpunuar më ngushtë me Uashingtonin, tashmë kjo temë do të ishte e harruar.

Në anën tjetër, shteti i Kosovës është pajtuar që edhe përkundër zbatimit të këtyre dokumenteve, Serbia nuk e ka obligim ta njoh Kosovën, duke e zhvendosur në këtë mënyrë kahen e procesit negociator në një drejtim të paqartë në të ardhmen. E të mos flasim për faktin se edhe pse e sulmuar Kosova, si në me 24 shtator të vitit 2023 në trupat paramilitare nga Serbia, si dhe me 29 nëntor të vitit të kaluar, në Kanalin Ibër Lepenc(sulm ky që Perëndimi ka nguruar deri në këtë kohë ta shpall Beogradin si përgjegjës dhe orkestrues të tij), vazhdon të jetë nën masa sanksionuese.

Ndërkohë, se çfarë mund të jenë raportet veçanërisht me Uashingtonin gjatë mandatit të ardhshëm, mund të merren si shembull pohimet e dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për misione të posaçme në botë, Richard Grenell. Në një prononcim për mediumin Nancionale, ai pat deklaruar se “Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, që të gjithë kishin marrëdhënie të shkëlqyeshme me Republikanët dhe Demokratët në Amerikë. Hera e vetme në 35 vite kur marrëdhëniet Kosovë – ShBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër”. Deklarime të tilla paraqesin një këmbanë alarmi për atë që mund ta pret Kosovën në raport me Perëndimin.

Përfundimisht, sjellja e shtetit të Kosovës gjatë këtij mandati, nuk ishte një sjellje “dy kahore” siç preferonte vazhdimisht kryeministri Kurti ta quante qasjen e tij diplomatike, por një proces “një kahor” i tensionimit, izolimit dhe përçarjes së Kosovës me Perëndimin. /TV Arbëria