Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Çka mësuam dje nga PDK’ja?

Çka mësuam dje nga PDK’ja?

Shkruan: Afrim Haliti

Në demokraci, fitorja supozohet të jetë shpërblim dhe konfirmim i besimit midis një kandidati dhe qytetarëve që e votojnë. Por në këto zgjedhje lokale PDK-ja arriti ta përmbysë këtë parim bazik. PDK-ja nuk e rikandidoi Ramiz Lladrovcin, kryetarin aktual të Drenasit, i cili kishte fituar tri mandate të njëpasnjëshme por vendosi të kandidonte një tjetër. Ironikisht, e besa edhe domosdoshmërisht, Lladrovci garoi si i pavarur dhe ia mposhti PDK-së kandidatin që në raundin e parë.

Në ndërkohë, në Prishtinë PDK-ja bëri diçka krejt tjetër dhe paradoksalisht riemëroi Uran Ismailin, të njëjtin kandidat që kishte humbur zgjedhjet para katër vitesh. Pra në Drenas u zëvendësua fitimtari e në Prishtinë u rikthye humbësi. Cila është logjika kundrejt një strategjie të tillë?

Ky paradoks nuk është vetëm llogaritje e gabuar taktike por ekspozon një krizë të thellë të gjykimit politik brenda PDK-së. Drenasi në këtë rast është metaforë për mënyrën se si sillet pushteti kur fillon të tutet nga vetvetja dhe se si besnikëria vlerësohet më shumë se legjitimiteti. Në këtë kuptim, fitorja e mbrëmshme e Lladrovcit jasht PDK-së, është pra më shumë sesa fitore personale, është një lloj rebelimi kundër hierarkisë së PDK-së.

Në teorinë politike kjo njihet si paradoks i kontrollit, pra kur pushteti ka frikë nga autonomia që e prodhon vetë. Një kryetar komune fitues si Ramiz Lladrovci bëhet kërcënues pikërisht për shkak se ai përfaqëson legjitimitetin popullor ‘të pavarur’ nga makina e partisë. Në anën tjetër, një kandidat i provuar si humbës siç është Uran Ismaili konsiderohet më i sigurt e besnik. Kështu suksesi bëhet barrë e dështimi dëshmi bindjeje.

Por politika nuk është si administrata, ajo është kontratë në mes të qytetarëve dhe të zgjedhurve. Kur partitë e prishin atë kontratë duke ndëshkuar ata që fitojnë me popullin dhe shpërblejnë ata që kënaqin vetëm rrethin e ngushtë, ato parti përfundojnë si PDK-ja dje në Drenas e Prishtinë. Elektorati i falë gabimet por nuk i falë absurditetet.

Paradoksi i PDK-së, pra, nuk ka të bëjë vetëm me atë se kush kandidon ku. Ka të bëjë me një parti që duket se ka harruar pse ekzistojnë partitë. Pra ka harruar se ato ekzistojnë për të përkthyer vullnetin qytetar në qeverisje të organizuar e jo për të mbrojtur zonat e rehatisë personale ose fraksionale. Duke zëvendësuar një fitues me një të panjohur në Drenas dhe duke e ricikluar një kandidat të mposhtur në Prishtinë, PDK pa dashje na dha një mësim se si të mos lexohet momenti politik.

Paradokset e tilla na mësojnë se kriza e partive politike në Kosovë nuk është ideologjike por strukturore. Liderët partiak në vend se të frymëzojnë besim assesi të lirohen nga frika e humbjes së kontrollit. Në këtë kuptim, fitorja e pavarur e Ramiz Lladrovcit nuk është vetëm fitore kundër PDK-së por është referendum i heshtur mbi mënyrën se si votuesit e perceptojnë arrogancën e makinerisë partiake.

Në thelbin e saj, demokracia e mirëfilltë shpërblen autenticitetin. Në momentin që partitë fillojnë të kenë frikë nga fituesit e tyre ato e humbin popullin.