Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Çka do të ndodhë me faljen e tatimit në pronë?

Çka do të ndodhë me faljen e tatimit në pronë?

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës më anë të një njoftimi për media dje ka njoftuar opinionin se ka marrë vendim lidhur me rastin KO 177/23, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, i cili ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023.

Kjo kërkesë ishte parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Prizrenit, bazuar në autorizimet e përcaktuara përmes paragrafit 4 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Me anë të këtij vendimi Gjykata ka konstatuar që “(i) kërkesa është e pranueshme; (ii) neni 5 i Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafin 1 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 5 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të shfuqizojë Vendimin për Masë të Përkohshme të 1 shtatorit 2023, meqenëse Gjykata tashmë ka vendosur lidhur me meritat e rastit; si dhe që (iv) afati i mbetur pesëmbëdhjetë (15) ditor nga afati tridhjetë (30) ditor i përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 11/B (Shuma e faljes së tatimit në pronë për pronën e paluajtshme) të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, fillon të rrjedhë nga dita e hyrjes në fuqi të Aktgjykimit”.

Kështu, organi më i lartë kushtetues në vend ka deklaruar se Ligji i kontestuar, (i) përcakton bazën ligjore sipas të cilës mund të falet tatimi në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, duke saktësuar lartësinë maksimale të faljes së këtij tatimi dhe afatin përkatës kohor brenda të cilit mund të merret vendimi për faljen e tatimit në pronën e paluajtshme”. Po ashtu, kompetencën për këtë vendimmarrje e kanë kuvendet komunale. Ndërkohë, Ligji i kontestuar nuk i detyron kuvendet komunale përkatëse, por saktëson bazën ligjore sipas të cilës u mundëson të njëjtave për të vendosur përkitazi me faljen e tatimit në pronën e paluajtshme sipas përcaktimeve të Ligjit të kontestua” .

Ky vendim, ashtu siç pritej, ka shkaktuar polemika dhe reagime të ndryshme në opinionin publik. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në mënyrë triumfaliste deklaroi se më fund u vërtetua se “të gjitha kritikat e akuzat ndaj Qeverisë për këtë temë kanë qenë të pabaza, dhe kjo gjë edhe u dëshmua tani. Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se opozita synim të vetëm e ka bllokimin e shtetit, qoftë edhe në kurriz të qytetarëve. Qytetarët do ta mbajnë mend këtë”.

Ndërkohë, Faton Fetahu avokat i autorizuar për ta përfaqësuar Komunën e Prizrenit në Gjykatën Kushtetuese, ka pohuar “as Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u vlerësua se Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (në lidhje me faljen e tatimit në pronë) nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, nuk e zvogëlon mashtrimin e madh të një qeverie të tërë, që meritat për falje i kishte përvetësuar, e detyrimin për pagesën e tatimit ua la në barrë komunave”.

Sipas tij, ky Aktgjykimi fuqishëm konstaton se komunat nuk janë të detyruara të nxjerrin vendime për faljen e tatimit në pronë përderisa ky i fundit është e hyrë ekskluzive e tyre”. Mirëpo tash kjo “patate e nxehtë padrejtësisht ju mbeti në dorë komunave nga ana e qeverisë”. Sepse, varësisht nga veprimi i tyre do ta paguajnë një kosto.

Kështu, nëse ato veprojnë konform vendimit të qeverise për falje do të përballen me humbje financiare nga të ardhurat e tyre vetanake. Por nëse e refuzojnë të veprojnë ndryshe do t’i nënshtrohen një presioni dhe manipulimi politik nga ekzekutivi. Kurse në anën tjetër është pikërisht ky i fundit që nga viti i ardhshëm do t’ua dyfishoj barrën qytetarëve të vendit më rritjen e tatimit në pronë.

Kurrë me shumë se në këtë rast nuk janë kristalizuar kundërthëniet ndërmjet detyrimeve financiare dhe nevojës për përftime politike. Prandaj, mbetet e paqartë se çka do të ndodhë me faljen e tatimit në pronë?

/TV Arbëria