Në rrugën rajonale Pejë – Mitrovicë mbrëmjen e së dielës, më 26.01.2025, ndodhi një aksident trafiku me fatalitet. 3 persona vdiqën e disa të tjerë u lënduan rëndë.
Gjurmët e aksidentit me fatalitet vazhdojnë të jenë në vendin e ngjarjes, në segmentin e rrugës Pejë-Mitrovicë, në fshatin Çubrel të Skenderajt.
Dje një patrullë e Policisë mori nga vendi i ngjarjes targën e automjetit zyrtar dhe disa gjësende të tjera.
Në aksidentin ku vdiqën 3 persona të një familjeje, e mbetën të lënduar edhe 5 persona, katër prej tyre zyrtarë policorë, ishin të përfshira një veturë e Policisë së Kosovës dhe një veturë civile.
Sipas Inspektoratit Policor të Kosovës, dyshohet se drejtuesi i automjetit të Policisë nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës dhe ka dalë në korsinë tjetër, teksa dyshohet se e ka goditur veturën civile.
“Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes duke ju bashkëngjitur edhe ekipeve tjera policore dhe prokurorisë në këqyrjen e vendit të ngjarjes. Aksidenti raportohet të ketë ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë në fshatin Çubrel në ora 18:40. Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile. Si pasojë e aksidentit tre persona (të cilët kanë qenë në veturën civile) një mashkull dhe dy femra fatkeqësisht kanë ndërruar jetë.”- thuhet mes tjerash në komunikatën e Inspektoratit të Policisë.
Derisa, IPK-ja, flet për dyshime se aksidentin e shkaktoi zyrtari policor, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës, rreth 200 metra larg vendit të ngjarjes ku ndodhi aksidenti, shenja e komunikacionit tregon se shpejtësia maksimale e lejuar në këtë pjesë të rrugës është 50km/h.
Policit i cili dyshohet se ishte duke vozitur veturën zyrtare i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Siç mëson KALLXO.com, dy zyrtarë policorë janë duke u trajtuar në Kliniken e Ortopedisë. Për shkak të lëndimeve në tru, një tjetër zyrtar policor, pas operacionit po trajtohet në Klinikë e Neurokirurgjisë.
Sipas Policisë, nga janari i vitit 2024 deri më 27 janar të vitit 2025, në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, kanë ndodhur 27 aksidente, një prej tyre me fatalitet.
KALLXO.com në anën tjetër mëson se zyrtarët policorë janë të Njësisë Speciale Kufitare nga Peja dhe të njëjtit ishin duke shkuar në punë në Mitrovicë.