Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 64-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar Johan Fritsch në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar është ushtarak profesionist dhe grada e fundit e tij ka qenë rreshter pasi që tashmë deklaroi se është i pensionuar. Pyetjet për atë i ka filluar përfaqësuesja e ZPS-së, prokurorja Vega Iodice.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja, ky dëshmitar ishte dislokuar në Kosovë dhe ishte pjesë e KFOR-it si zyrtar për shtyp. Ajo gjithashtu tha se dëshmitari ishte i pranishëm në operacionin në ndërtesën e MUP-it në Prizren.
“Dëshmitari 03881 është dislokuar në Kosovë nga 14 qershori deri me 3 gusht 1999 si zyrtar për shtyp me kontingjentin e KFOR-it. Pjesë e detyrave të tij ishte shoqërimi i gazetarëve, dokumentimi dhe raportimi dhe bërja fotografi të ngjarjeve sipas kërkesës së kryesisë ushtarake të KFOR-it. Dëshmitari 03881 ishte i pranishëm në qershor 1999 kur KFOR-i ndërhyri në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren e zënë në atë kohë nga ushtarët e UÇK-së dhe liroi disa të ndaluar të ndaluar”, tha prokurorja.
Ajo tha se ky dëshmitar kishte parë trupin e pajetë të një të ndaluari në këtë ndërtesë e po ashtu sipas saj ky dëshmitar ka dokumentuar dhunën ndaj pakicave serbe dhe rome në Prizren.
“Dëshmitari 03881 pa trupin e pajetë të një të ndaluari dhe konfirmoi se KFOR-i trajtoi lëndimet e të ndaluarve. Ai bëri fotografi viktimave, lëndimeve të tyre dhe materialeve të sekuestruar nga KFOR-i të marra prej ushtarëve të UÇK-së. 03881 gjithashtu ishte i pranishëm dhe dëshmitar dhe dokumentoi dhunë ndaj pakicave serbe dhe rome. Dëshmitari 03881 mbajti një ditar të shkruar me dorë me fotografitë që kishte bërë”, tha ajo.
Dëshmitari pohoi se pjesët e ditarit të tij i kishte shkruar çdo mbrëmje dhe ishin të vërteta ato se çfarë përmbante ai.
Dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi që sipas dëshmitarit paraqiteshin lëndimet e personave që ishin gjetur si të ndaluar në godinën e MUP-it e cila ishte nën zotërimin e UÇK-së, disa ishin nga ndërhyrjet në ndërtesën e MUP-it ku ishe gjetur edhe personi i vdekur.
“Ky burrë me gjasë kishte vdekur më përpara se ne të arrinim aty”, tha ai.
Ai gjithashtu tha se kishin dokumentuar edhe mjete të torturimit të cilat ishin përdorur nga MUP-i dhe UÇK-ja më pas në këtë ndërtesë.
“Edhe MUP-i edhe UÇK-ja më pas i kishin përdorur të njëjtat mjete që kishin në dispozicion”, tha dëshmitari.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë rreth një ditë e që 45 minuta janë ndarë vetëm për prokurorinë. Me kaq përfundoi seanca e sotme e cila do të rinis nesër me dëshminë e këtij dëshmitari.