Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Çitaku: Preferojmë koalicion me opozitën, përjashtojmë mundësinë e koalicionit me VV

Çitaku: Preferojmë koalicion me opozitën, përjashtojmë mundësinë e koalicionit me VV

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media, ka shprehur mirënjohjen e thellë të partisë për mbi 200 mijë qytetarë që i besuan PDK-së me votën e tyre, duke e bërë këtë rezultatin më të mirë të partisë që nga viti 2014.

Ajo ka falënderuar kandidatin e PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamzën dhe Kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, për një fushatë pozitive dhe të bazuar në programin e qartë për një Kosovë më të mirë, si dhe të gjithë kandidatët, anëtarët, aktivistët dhe votuesit e PDK-së për angazhimin e tyre.

“Ky rezultat është dëshmi e rikthimit të besimit të qytetarëve dhe e rritjes sonë të jashtëzakonshme. PDK nuk e sheh këtë sukses si përmbyllje, por si një fillim të ri. PDK është e gatshme, me kandidatin tonë për Kryeministër, Bedri Hamzën, të marrë përgjegjësinë e qeverisjes dhe ta çojë Kosovën përpara,” tha ajo.

Derisa ka shtuar se PDK-ja e preferon një koalicion me partitë opozitare.

“Preferojmë një koalicion me partitë opozitare dhe përjashtojmë mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, mirëpo hapat kushtetues dhe ligjor janë të qartë, të përfundojë procesi i numërimit të votave e të bëhet legjitimimi i deputetëve të rinj e më pas fillojnë konsultat dhe bisedimet me partnerët eventual të koalicionit që do të udhëhiqet nga z.Bedri Hamza”, tha ajo

Ajo po ashtu i ka bërë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të sigurojë numërimin e saktë të çdo vote dhe të ruajë integritetin e procesit zgjedhor, duke garantuar siç ka thënë respektimin e vullnetit të qytetarëve.

“Integritet i procesit zgjedhor duhet të ruhet, i bëjmë thirrje KQZ-së që të sigurojë numërimin e saktë të çdo vote, duke garantuar respektimin e vullnetit të qytetarëve. Kosova ka zhvilluar një proces shembull demokratik dhe është e domosdoshme që të përfundojë si të tillë. Por do i presim procedurat kushtetuese, ky proces duhet të përmbyllet me integritet”, tha tutje Çitaku./TV Arbëria./