Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Cili është rreziku i moscertifikimit të Listës Serbe?

Cili është rreziku i moscertifikimit të Listës Serbe?

Shkruan: Korab Rashiti, deputet në kantonin e Bernit në Zvicër

Nuk do të ndalem këtu në historikun e debatit rreth moscertifikimit të Listës Serbe. Dua të përqendrohem vetëm në një pikë thelbësore: pse një vendim i tillë, në realitet, i shkon për shtat regjimit të Beogradit.

Strategjia propagandistike e Serbisë është e njohur prej kohësh dhe ndjek pothuajse të njëjtat linja si ajo e Rusisë. Narrativi është i përsëritur: serbët janë të marginalizuar, të drejtat e tyre shkelen, jeta e tyre është në rrezik. Pikërisht këtë narrativë e ka përdorur Putini për ta justifikuar agresionin ndaj Ukrainës: mbrojtjen e një minoriteti të supozuar në rrezik. Serbia synon ta krijojë të njëjtin pretekst në veri të Kosovës, duke pretenduar se serbët janë të kërcënuar.

Çka ndodh nëse Lista Serbe nuk certifikohet? Beogradi fiton menjëherë provën që kërkon për ta shfaqur në skenën ndërkombëtare: “Shikoni, serbët në Kosovë nuk kanë më parti, janë të përjashtuar nga sistemi institucional, të drejtat e tyre nuk respektohen.” Ky diskurs do të gjente jehonë të menjëhershme në OKB, në Bashkimin Evropian dhe madje në Washington, ku çështja e minoriteteve trajtohet me ndjeshmëri të veçantë.

E vërteta është se, edhe nëse Lista Serbe nuk certifikohet, nëse serbët në Kosovë duan realisht të marrin pjesë në zgjedhje, ata do të krijojnë menjëherë një subjekt të ri politik — ndoshta të quajtur Lidhja e Veriut apo Partia Serbo-Ortodokse. Pra, problemi nuk do të zgjidhej; vetëm emri do të ndryshonte. Por Beogradi, në anën tjetër, do të forcohej diplomatikisht, sepse do të mund të thoshte: “Shqiptarët po i ndalojnë serbët të marrin pjesë në zgjedhje.”

Pse atëherë disa në Prishtinë — veçanërisht brenda Vetëvendosjes — janë të gatshëm të marrin një rrezik kaq të madh? Përgjigjja është e thjeshtë: për të luajtur kartën nacionaliste dhe për t’u paraqitur si mbrojtësit më të fortë të sovranitetit të Kosovës. Por ky është një kalkulim i rrezikshëm, sepse i shërben pikërisht strategjisë së Beogradit: përjashtimit të serbëve nga sistemi i Kosovës, për ta përdorur pastaj si argument për ndërhyrje.

Në fund, ky është paradoksi i madh: që nga fillimi, Albin Kurti dhe Vetëvendosje kanë vepruar, me vetëdije ose jo, në linjë të plotë me interesat strategjike të Beogradit. Çdo veprim i këtij lloji e forcon Serbinë diplomatikisht, e ushqen narrativën e saj viktimiste dhe e dobëson pozitën ndërkombëtare të Kosovës.