Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Cilët janë kandidatët kryesorë republikanë për nënpresident?

Cilët janë kandidatët kryesorë republikanë për nënpresident?

sh-presidenti Donald Trump nuk ka njoftuar ende se kush do të jetë kandidati për postin e nënpresidentit në zgjedhjet e këtij viti. Sipas njoftimeve në media dhe sinjaleve të dhëna nga ekipi i tij elektoral, zoti Trump mund të bëjë përzgjedhjen e kandidatit për nënpresident përpara mbajtjes së konventës republikane në fund të korrikut.

Megjithëse përzgjedhja mund të jetë edhe krejtësisht e papritur, nga njoftimet e bëra duket se procesi i përzgjedhjes është përqëndruar kryesisht tek pesë emra. Ndër tre të parët janë dy senatorë – Marco Rubio dhe J.D. Vance – si dhe një guvernator: Doug Burgum, i Dakotës së Veriut.

Dy emrat e tjerë për të cilët është thënë se gjithashtu po merren në konsideratë janë senatori Tim Scott dhe ligjvënësja Elise Stefanik.

Kandidatët e mundshëm vijnë me eksperienca të ndryshme dhe do të sillnin kontribute të ndryshme për të fuqizuar kandidatin e Partisë Republikane. Disa prej tyre kanë qenë tepër të ashpër me kritikat ndaj zotit Trump, por më pas i janë bashkuar linjës republikane në mbështetje të tij si kandidati i partisë në zgjedhjet e vitit 2016.

Përzgjedhja do të ketë rëndësi për fushatën elektorale të zotit Trump, thotë William A. Galston, studiues në Institutin Brookings.

“Kryesorja nga pikëpamja politike është si një lloj betimi i Hipokratit: Të mos shkaktohet dëm”, i tha zoti Galston Zërit të Amerikës. “Sepse nëse zgjedh dikë me mangësi që do të cilit shfaqeshin menjëherë pas njoftimit, atëherë do të paguhet një çmim i madh politik”.

Alternativat nga pikëpamja strategjike

Vendimet strategjike, krahas sigurimit paraprakisht që kandidati të mos dëmtojë fushatën, kanë ndihmuar në përzgjedhjen e kandidatëve për nënpresident në të kaluarën.

Ndonjëherë përzgjedhja shfrytëzohet për të plotësuar hendekun e krijuar mes dy fraksioneve të partisë së presidentit. Zoti Galston vë në dukje se krisja më e thellë në Partinë Republikane është mes mbështetësve të zotit Trump dhe votuesve që preferuan ish-guvernatoren Nikki Haley, gjatë zgjedhjeve paraprake. Me sa duket zoti Trump nuk ka folur me zonjën Haley, që kur ajo vendosi të dalë nga gara dhe nuk duket se ndreqja e kësaj ndasie është përparësi për ish-presidentin.