Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, anuloi vizitën në Kosovë, për “arsye familjare”, merr vesh Radio Evropa e Lirë.
Ka qenë e paraparë që Chollet dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të takojnë pasditen e sotme udhëheqësit e lartë të shtetit të Kosovës, ndërsa mëngjesin e së martës përfaqësues të partive politike.
Nuk është e qartë nëse Chollet do të realizojë pjesën tjetër të vizitës në rajonin e Ballkanit dhe në Bruksel, ashtu siç ishte paralajmëruar nga Departamenti amerikan i Shtetit, javën e kaluar.
Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës u bë e ditur se kryeministri Albin Kurti do të presë pasdite në takim vetëm Escobarin.
Vizita vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar. /TV Arbëria