Gareth Southgate dha dorëheqjen si përzgjedhës i Anglisë tre ditë më parë, ndërsa sipas raportimeve të mediave angleze, kandidati kryesor për në stol është Graham Potter.
Gjithashtu në listë janë edhe emrat e Eddie Howe (46), Mauricio Pochettino (52) dhe Lee Carsley (50). Potter ka qenë pa punë që kur u shkarkua nga bankina e Chelseat në prill 2023, pas vetëm shtatë muajsh në krye të ekipit.
Pavarësisht mungesës së përvojës ndërkombëtare, ai vlerësohet shumë nga FA.
Tre trajnerë u ndryshuan pas largimit të Potter
Kujtojmë se në prill të vitit të kaluar, drejtuesit e Chelseat shkarkuan Potterin pas më pak se shtatë muajsh të kaluar në stolin e skuadrës nga “Stamford Bridge”. Potter mori drejtimin e klubit londinez në shtator 2022 pasi Thomas Tuchel u shkarkua, por ai qëndroi në stol vetëm për 31 ndeshje, duke arritur 12 fitore, tetë barazime dhe 11 humbje.
Që kur Chelsea shkarkoi Potterin, tre trajnerë tashmë kanë ndryshuar në bankinë. Së pari, Frank Lampard (46) udhëhoqi për një kohë të shkurtër ekipin dhe Mauricio Pochettino (52) ishte në stol për të gjithë sezonin e kaluar. Argjentinasi u shkarkua në fund të sezonit dhe trajneri italian Enzo Maresca (44) e mori skuadrën. Pavarësisht se tre trajnerë tashmë kanë ndryshuar, Potter ende po paguhet nga Chelsea.
Chelsea ende e paguan Potterin rreth 240,000 euro në javë
Mediat angleze tashmë shkruajnë se Chelsea dëshiron shumë që Potter të bëhet trajneri i ri i Anglisë dhe arsyeja është e natyrës financiare. Gjegjësisht, kur Potter u shkarkua, klubi mori përsipër t’i paguajë atij një pagë prej 240 mijë euro në javë për 18 muajt e ardhshëm. Kjo ishte marrëveshja në vend që Chelsea t’i paguante pagesën e largimit, dhe nëse Potter gjente një punë të re, atëherë detyrimi i Chelsea për ta paguar atë do të përfundonte.
Meqenëse Potter nuk ka punuar askund pas klubit londinez, ata kanë vazhduar ta paguajnë atë dhe tani shpresojnë që ai të marr përsipër ekipin kombëtar për të kursyer të paktën tre pagat e tij mujore, të cilat do të ishin të dobishme duke pasur parasysh çështjet me financa.