Chelsea do të duhet të lërë jashtë skuadrës së Ligës së Kampionëve një nga transferimet e famshme të janarit, gjë që paraqet tani një dhimbje koke për trajnerin, Graham Potter.
“Blutë” e Londrës do të përballen me Borussia Dortmundin në 1/16-tën e fundit të finales së Ligës së Kampionëve, me ndeshjen e parë që luhet në Gjermani më 15 shkurt dhe kthyesen në shtëpi më 7 mars.
Pronari i Chelseat, Todd Boehly ka shpenzuar para të majme gjatë janarit, me Enzo Fernandez duke u bërë nënshkrimi i tyre i tetë i merkatos në një marrëveshje rekord britanike prej 120 milionë eurosh në ditën e fundit të afatit kalimtar të transferimeve.
Nënshkrimi i Fernandez i çoi shpenzimet e janarit të Chelseat në më shumë se 365 milionë euro.
Ardhjet e tjera në “Stamford Bridge” përfshijnë Joao Felixin në huazim, Mykhailo Mudryk për 100 milionë euro dhe 45 milionëshin, Benoit Badiashile, por rregullat e UEFA-s përcaktojnë se vetëm tre lojtarë të rinj mund të regjistrohen për fazat e eliminimit.
Neni 46.01 i rregullores së Ligës së Kampionëve thotë: “Nga raundi i 16-të, një klub mund të regjistrojë maksimumi tre lojtarë të rinj të kualifikuar për ndeshjet e mbetura në kompeticionin aktual.
Një regjistrim i tillë duhet të përfundojë deri më 2 shkurt 2023 më së voni. Ky afat nuk mund të zgjatet”.
Kjo do të thotë se Chelsea duhet të vendosë se cilët nga tre prej tetë nënshkrimeve të tij të janarit do të shtoj në skuadrën e tij para të enjtes mbrëma.
/TV Arbëria