Presidenti i Këshillit Evropian është vënë në qendër të vëmendjes së fundmi pasi bëri të ditur kandidaturën në zgjedhjet për Parlamentit Evropian, duke nënkuptuar se mund të linte postin që mban aktualisht.
Megjithatë, të premten pasdite, Michel bëri të ditur se do të tërhiqet nga gara. Lajmin kreu i Këshillit Evropian e konfirmoi me anë të një postimi në mediat e tij sociale.
“Nuk do të kandidoj për zgjedhjet evropiane. Do t’u përkushtohem përgjegjësive që mbaj aktualisht, me vendosmëri të palëkundur derisa ato të përfundojnë. Unë do të jem gjithmonë një mbështetës i vendosur i një Evrope që është demokratike, e fortë, e bashkuar dhe sovrane e fatin e vet,” shkroi ai në Facebook.
Siç shprehet vetë, në përfundim të mandatit, Michel do të bëjë një reflektim për natyrën dhe drejtimin e detyrimeve të tija të ardhshme.
Vendimi i befasishëm i Charles Michel për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare evropiane në qershor, që do të nënkuptonte lënien e postit disa muaj para përfundimit të mandatit të tij, shkaktoi reagime të furishme mes zyrtarëve të BE-së, diplomatët evropianë dhe Parlamentit.
Zyrtarët e perceptuan njoftimin e tij të befasishëm si një sinjal se ai i kushtonte më shumë rëndësi të ardhmes së tij politike sesa rolit të tij aktual si kreu i Këshillit Evropian.
Lëvizja e Michel gjithashtu vuri në presion liderët evropianë për të gjetur një kompromis për postet kryesore të BE-së.
Nëse do të ishte zgjedhur si anëtar i Parlamentit Evropian, gjë që kishte shumë gjasa nëse do të kishte kandiduar, Michel do të duhej të merrte detyrën në mes të korrikut, duke i hapur derën kryeministrit euroskeptik të Hungarisë Viktor Orbán që të kryesonte përkohësisht takimet e liderëve të BE-së.