Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Çfarë thotë Raporti i Progresit për krimin e organizuar?

Çfarë thotë Raporti i Progresit për krimin e organizuar?

Raporti i Progresit për Kosovën ka thënë se vendi është në fazë të hershme të luftës kundër krimit të organizuar. Përmes tij kërkohet që Kosova të miratojë strategji të re në luftimin e kësaj dukurie. Kjo po mirëpritet ku po kërkohet që t’i jipet fokus ndjekjes penale të profilit të lartë.

Aksionet e shumta të Policisë së Kosovës janë vlerësuar nga Bashkimi Evropian.

Në Raportin e Progresit goxha fokus i është dhënë edhe luftës kundër krimit të organizuar.

Sipas të njëjtit, thuhet se Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjes dhe nivelit në luftimin e kësaj dukurie.

“Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Kosova duhet në veçanti të miratoj një strategji të re për krimin e organizuar; të përmirësojë më tej hetimin dhe ndjekjen penale të krimit të organizuar të profilit të lartë, duke përfshirë pastrimin e parave; dhe synojnë në mënyrë proaktive dhe të përbashkët dhe hartojnë grupet dhe rrjetet e organizuara kriminale; të forcojë më tej efikasitetin e regjimit të konfiskimit penal, duke krijuar një fond konfiskimi dhe duke rritur përdorimin e mjeteve të konfiskimit nga prokuroria dhe policia”, thuhet nga Raporti i Progresit.

Për këtë, avokati Xhevdet Smakiqi po vlerëson se është tregues që institucionet nuk kanë punuar sa duhet ndaj luftimit të krimit të organizuar.

Ai thotë se duhet marrë parasysh rekomandimet e raportit në miratimin e strategjisë për ndjekjen penale të profilit të lartë.

“Prandaj Qeveria do duhej ta kishte një strategji dhe këtu Qeveria ka dështuar, sikur ta kishte një strategji të cilën e ka aprovuar pa i thënë Bashkimi Evropian ose KE, atëherë Komisioni Evropian do të bënte një vlerësim se kjo strategji a është efektive, a është adekuate, a është në pajtim me standardet e BE-së, prandaj ska strategji fare. Kjo është një e gjetur dhe dështim tjetër, pra nuk po shoh askund në Raportin e Progresit në asnjë fushë që kemi të bëjmë me përmirësim të gjendjes në Kosovë”, tha Smakiqi.

Kurse nënkoloneli në pension i Policisë, Refki Morina thotë se krahas mangësive që janë përmendur, ka pasur edhe suksese të institucioneve të sigurisë.

Veçse edhe ky pohon që duhet të miratohet një strategji e re për ndjekjen penale të profilit të lartë.

“Edhe këtë në koordinim me Shtetet e Bashkësisë Evropiane sidomos me vendet të cilat kanë një përvojë dhe profesionalizëm në këtë lëmi në mënyrë që të kemi një strategji gjithëpërfshirëse ku në të parashihet edhe plani i veprimit, puna dhe aktiviteti i tërësishëm i hetimeve sidomos të nivelit të lartë”, tha nënkoloneli në pension i Policisë, Refki Morina.

Në Raport thuhet se kuadri ligjor për luftën kundër krimit të organizuar është në përputhje me kriteret e BE-së dhe se vendi ka përafruar më tej kornizën strategjike me Unionin Evropian në këtë fushë.

Powered by WordPress