Analisti dhe publicisti Gani Qarri ka komentuar për TV Arbëria këngën që këngëtarja e njohur Edona Llalloshi ia kushtoi kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e cilësuar atë si shprehje artistike të frustrimit qytetar, solidaritetit shoqëror dhe mbështetjes politike.
Në përgjigjen e tij, Qarri deklaroi:
“Pas nëntë muajve bllokim të institucioneve shtetërore, pengimi edhe me gjykatë, nga opozita i vendosjes së çmimeve tavan, akt pas të cilit kanë fluturuar çmimet në lartësi marramendëse dhe kanë rënduar edhe më tepër standardin e qytetarëve, mosvotimi i buxhetit të shtetit, me të cilin opozitarët me vetëdije rrezikuan funksionalitetin e shtetit dhe vështirësuan edhe më tepër gjendjen sociale të qytetarëve të Kosovës, si dhe mosmiratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare duke quar me vetëdije në humbjen e qindra miliona eurove, të ndara për Kosovën, të cilat sipas rregullave të BE-së, për shkak të mosvotimit nga opozita të marrëveshjeve ndërkombëtare me BE-në dhe Bankën Ndërkombëtare, mund tu dhurohen Serbisë dhe vendeve tjera hegjemoniste fqinje që më parë, po nga kjo opozitë janë shpërblyer edhe me toka autoktone të Kosovës, pastaj dërgimi i vendit brenda 11 muajve në 4 palë zgjedhje dhe vërshimi i sulmeve të sinkronizuara, të formave më të ulëta e mënyrave të gjithfarëllojshme të opozitës, kanë frustëruar aq shumë qytetarët dhe artistët e këngëtarët, të cilët dinë më së miri ta shprehin frusterimin edhe me zë të lartë dhe forma të theksuara artistike, deri në përmasa të atilla, sa që sot të duken normale dhe akt i natyrshëm kushtimi i elegjive nga Çun Lajçi etj, apo edhe këngëve nga solistja e mirënjohur e Kosovës Edona Llaloshi, Sabri Fejzullahu etj, si formë artistike e shprehjes së mbrojtjes të shpëtimtarit të vendit dhe kryeministrit në detyrë, z. Albin Kurti”.
Ai shtoi se mbështetja e Edona Llalloshit për Kurtin lidhet edhe me solidaritetin ndaj grave të mbijetuara të luftës.
“E përveç mbështetjes nga këngëtarja të kryeministrit Kurti, aktin e Edona Llaloshit e shoh edhe si formë të shpërfaqjes të solidaritetit me femrat e shumëvuajtura të Kosovës, nga Saranda Bogujevci deri te Vasfije Krasniqi etj…”
Qarri theksoi edhe rrugëtimin politik të Edona Llalloshit dhe suksesin e saj elektoral:
“Në anën tjetër këngëtarja e mirënjohur Edona Llalloshi ka befasuar me mbështetjen që ka marrë nga qytetarët, pikërisht si kandidate e LVV-s edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit… duke u shndërruar në risinë e zgjedhjeve, për të mos thënë edhe në sensacion të votimeve të 9 shkurtit…”
Duke folur për zhvillimet në veri dhe sulmet ndaj Qeverisë Kurti, Qarri u shpreh:
“Ndryshe duke parë dhe përjetuar nga qytetarët me shpirt dhe zemër vendosjen e rendit e të ligjit mbi 20 vite pas lufte edhe në veri të vendit… oligarkët e shastisur pas këtij suksesi shekullor të Qeverisë Kurti, nuk pushuan sulmet e sinkronizuara…”
Në përfundim, ai deklaroi se këto sulme vetëm sa e kanë forcuar figurën e kryeministrit:
“Sa më shumë që ai po atakohet nga kundërshtarët, aq më fort po merret në mbrojtje nga qytetarët dhe rritet figura politike e Kurtit në sytë e popullit të Kosovës… Albin Kurti… mund të kthehet në legjendë edhe të shekullit që po jetojmë”. /TVArbëria