Shkruan: Agron Hoti
Kryetari Trump i ka dhënë ultimatum Kryetarit të Rusisë që të arrijë paqe me Ukrainën deri më 8 gusht 2025.
Po pse pikërisht tash?
Kjo ndodhi, sespe SHBA ia doli ta dobësojë Iranin dhe proxit e tij nëpër vende arabe, ndaj edhe tash po përqendrohet më shumë në Evropë duke e pasur Izraelin dhe Turqinë si pararojë të trojeve arabe. Ndërkohë, gjasat që Rusia t’i pranojë kushtet e SHBA-së janë minimale, sepse vetë pranimi i ultimatumit, do të thoshte humbje për Rusinë dhe kjo automatikisht do të shënonte fundin e Putinit.
SHBA është e vetëdijshme që Rusia nuk do ta zbatojë ultimatumin. Por, për SHBA-në, moszbatimi i ultimatumit nga Rusia do të jetë vetëm pretekst për ta armatosur edhe më shumë Ukrainën tash kur është edhe verë dhe kur natyra është gjelbëruar për t’i bërë dëme edhe më shumë Rusisë si dhe për t’ia rënduar sanksionet ndërkombëtare.
Ç’është e vërteta, SHBA është shumë komode në luftën Ukrainë-Rusi. Përderisa Rusia është frenuar në Ukrainë dhe nuk po mund ta pushtojë Evropën, fitorja është pashmangshëm në anën e SHBA-së. Fundja, SHBA-së nuk po i vdesin ushtarë dhe nuk po i shkatërrohet vendi. As Evropa nuk po shkatërrohet. Ndërsa, Rusisë po i ndodhin të dyjat.
Sigurisht që Putini mezi pret një strategji dalëse – një rrugë për t’u tërhequr nga lufta pa u perceptuar si humbës. Por se si do të duket një strategji e tillë, mbetet e paqartë për momentin. Nuk përjashtohet mundësia që vetë Kremlini të nxisë një destabilizim të brendshëm të kontrolluar, për ta përdorur si justifikim për ndaljen e luftës në Ukrainë. Por gjithçka mbetet në sferën e spekulimeve.
Ajo që mund të thuhet me siguri është se: sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më e rëndë do të bëhet barra ekonomike për Rusinë – dhe aq më e madhe do të jetë pakënaqësia e brendshme ndaj Putinit. Me kalimin e kohës, kombinimi i lodhjes ekonomike, humbjeve njerëzore dhe izolimit ndërkombëtar pritet të ushqejë një rezistencë gjithnjë e më të fuqishme brenda vetë Rusisë.