Kosova ka rënë për gjithsej 43 vende gjatë dy vjetëve të fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur tashmë në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Kjo është rënia më e madhe që Kosova ka pësuar në 15 vjetët e fundit, dhe ajo aktualisht është e renditur më keq se çdo shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Për Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK), kjo rënie drastike është shqetësuese dhe alarmuese. Në reagimin e tij theksohet se kjo rënie është pasojë e “politike të vazhdueshme aktive armiqësore ndaj mediave, në dy vitet e fundit nga Qeveria e udhëhequr nga partia politike, [Lëvizja] Vetëvendosje”.
Zëdhënësi i kësaj partie, Arlind Manxhuka, ka hedhur poshtë konstatimet e Reporterëve pa Kufij, dhe ka thënë se nuk është e vërtetë që në Kosovë mungon “liria e shprehjes”.
“Liria, mendimi, liria e mendimit, shprehja, asnjëherë nuk janë ndalur e as s’mund të ndalen. Por, gënjeshtra ka kosto, nëse jo përmes normash, atëherë me humbje kredibiliteti. Dhe për këtë kanë përgjegjësi këta që sot po ‘çuditen’”, tha ai.
Reporterët pa Kufij në raportin e tyre përmendin ofendime dhe kërcënime ndaj gazetarëve, sulme fizike, përgjime, si dhe përhapjen e lajmeve të rreme në të cilat gazetarët akuzohen padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”.
Sipas të dhënave të AGK-së, gjatë vitit 2023 janë shënuar 53 raste të sulmeve ose kërcënimeve ndaj gazetarëve, ndërsa në vitin 2024 janë regjistruar 24 raste të tilla.
AGK-ja thekson se një numër i vogël i këtyre rasteve janë zgjidhur me vendime përfundimtare, por gazetarët nuk duhet të dekurajohen dhe duhet të vazhdojnë të raportojnë çdo lloj sulmi tek institucionet kompetente dhe organizatat profesionale të gazetarëve.