Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Çfarë ndodhi dhe si u komentuan takimet e dështuara mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel?

Çfarë ndodhi dhe si u komentuan takimet e dështuara mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel?

Dy takime të mbajtura në kuadët të dialogut Kosovë-Serbi, nuk patën ndonjë rezultat, takime të cilat u zhvilluan brenda dy jave.

Fillimisht Brukselit iu drejtuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku të dy palët u takuan ndaras me përfaqësuesit e BE-së, por që takimi trepalësh me Kurtin dhe Vuçiq dështoi.

Kurti gjithashtu parashtroi disa kushte të cilat janë: formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; Tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.

Menjëherë pas kësaj këtë javë është mbajtur takimi mes kryenegociatorëve, i cili po ashtu nuk pati sukses.

Përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak u deklarua pas takimit se palët diskutuan për një sërë hapash.

“Sapo përfunduan më shumë se shtatë orë takime në nivelin e kryenegociatorëve. Me Besnik Bislmin dhe Petar Petkoviqin. Ne diskutuam një gamë të gjerë çështjesh dhe ramë dakord për një sërë hapash vijues”, tha Lajçak.

Në anën tjetër kryenegociatori për Kosovë, Besnik Bislimi deklaroi se Serbia insistonte vetëm në Asociacionin, kurse kryenegociatori i Serbisë Petar Petkoviq deklaroi se Prishtina po krijon ngecje në dialog.

“Pika e vetme e agjendës në të cilën ne duhej të shënonin përparim ishte diskutimi i finalizimit të planit të sekuencimit. Megjithatë nga pala serbe u bë e qartë prej fillimit se ata duan të zbatojnë vetëm pjesë të Marrëveshjes Bazë, që janë në harmoni me vijat e tyre të kuqe”, deklaroi Bislimi.

“Dialogu është vendi i vetëm për zgjidhje kompromisi, ndryshe nga java e kaluar kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte i gatshëm për bisedime, ndërsa Kurti refuzoi të bisedonte,”, ka deklaruar Petkoviq.

Lidhur me dialogun ka pasur deklaratë edhe nga kryeministri i Serbisë Millosh Vuçeviq, i cili thotë se nuk ka përparime në dialog derisa është në pushtet Kurti.

“Nuk shoh asnjë milimetër hapësirë që diçka do të lëvizë në dialog derisa të jetë Kurti në pushtet. Kur fola me Miroslav Lajçakun në Athinë para dhjetë ditësh, e shoh që edhe ata janë të vetëdijshëm për këtë. Ata e dinë se Kurti me siguri nuk do të formojë Asociacionin. Mua më duket se është joreale që QUINT nuk ka ndikim te Kurti. Ata thonë se po na bëjnë presion, por ne nuk shohim ndonjë përparim”, thotë Vuçeviq.

Procesi i dialogut u komentua edhe nga analistë e figura politike në vend.

Analisti politik Dritëro Arifi në një përgjigje për TV Arbëria, ka treguar disa arsye se përse ka ngecje në dialog.

“Sa i përket se përse dialogu s’po ka rezultate, unë mendoj janë dy arsye të fuqishme, e para ka të bëjë me Bashkimin Evropian si organizat e cila nuk po është e qartë rreth qëndrimeve të tyre me Kosovën dhe përreth Kosovës prandaj edhe kemi shumë ngecje”, ka thënë Arifi.

Arsyeja e dytë sipas analistit është militarizmi i krerëve serb.

“Dhe e dyta është qasja e militarizuar e Serbisë ndaj Kosovës prandaj edhe është e pamundur të arrihet paqja mes Kosovës dhe Serbisë, pikërisht me deklaratat e krerëve serb, Serbia po dëshiron që ta pengoj dhe njëfarë ta humb një kohë të çmueshme të të gjithve në rajonin e Ballkanit perendimore posaqërisht shqiptarëve të Kosovës”, ka thënë Arifi për TV Arbëria.

Gjithashtu për këtë ka folur dhe deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, ku për TV Arbëria thotë se duhet të bëhen ndyshime të menjëhershme nga Qeveria Kurti.

“Ajo që i duhet tani Kryeministrit është: arritja e një konsenzusi politik me opoziten, përmirësimi urgjent i marrëdhënjeve kryeministrore me Shqipërinë, si dhe zbatimi i menjëhershëm i mrrëveshjeve të Kosovës të ndërmjetësuara nga BE e SHBA. Ata janë garantuese dhe kurrë s do na lënë në baltë”, ka thënë Haliti për TV Arbëria.

Powered by WordPress