Shkruan :Afrim Kasolli
Dy nga partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, gjithnjë e më tepër janë duke e kërkuar marrëveshje politike më partinë fituese të zgjedhjeve, me qellim krijimin e institucioneve të reja. E para nëpërmjet kryetarit të saj Bedri Hamza, në një intervistë në Rubikon, ka bërë të ditur se është duke e kërkuar këtë gjë nga Albin Kurti, si për konstituim të Kuvendit, ashtu edhe për votim të Qeverisë së re dhe në fund të Presidentit. Me një fjalë ky subjekt politik po e shpalos dëshirën dhe ambicien e tij që të jetë pjesë e kombinatorikës së re në ndarjen e pushtetit. Kuptohet nëse pajtohet dhe ka mëshirë Albin Kurti për këtë pozicion të ri politik të PDK së.
Ngjashëm, po shprehet edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse kjo e fundit deri më tani ka kërkuar konsensus vetëm për pozitën e Presidentit. Sipas saj vendi ka nevojë për stabilitet dhe jo për kriza permanente, prandaj LDK është këtu për ta ofruar këtë mundësi dhe shanse politike.
Ky ndryshim i kursit të subjekteve opozitare, pas zgjedhjeve të 29 dhjetorit është dhurata më e çmuar politike që i ofrohet Albin Kurtit kur tashmë i njëjti i gëzon frytet e një triumfi gati absolut. E para ato i tregojnë këtij të fundit se tashmë janë lodhur nga “rezistenca” opozitare dhe se po kërkojnë nga i njëjti pakt për të dalur nga situata e pashpresë në të cilën ndodhen. Se janë dorëzuar dhe nuk e kanë në plan si ta kontestojnë, por si t’i afrohen. Ngase rezultatet e fundit zgjedhore, dëshmuan se ai është në “rrugën e drejtë të historisë”, prandaj të parave nuk u mbetet gjë tjetër, pos ta përqafojnë këtë valë të re të historisë. Se është epoka e tij, prandaj as që ia vlen kundërshtimi.
Nuk ka dyshim se ky qëndrim i dy partive kryesore opozitare do të jetë fatal për to. Sepse të njëjtat në vend se ta lexonin rezultatin e fundit të zgjedhjeve si shenjë që pikërisht pse nuk kanë qenë sa duhet aktive për ta sfiduar per një mandat të plotë pushtetin e Albin Kurtit, pësuan disfatë, ato tashmë rrugën e vetme të mbijetesës kanë filluar ta kërkojnë, jo të riaktivizimi i rolit të tyre opozitar, por te kapitullimi moral para dyerve të pushtetit.
Sidoqoftë, kjo salto e tyre mortale politike mund të ketë edhe efekte pozitive. Ngase ajo mund ta shtrojë shtratin e fermentimit të një opozitë të mirëfilltë, e cila nesër si një uragan do tw mund ti tejkalojë si ato ashtu edhe pushtetin e Albin Kurtit.