Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Çfarë do të nënkuptonte fitorja e mundshme e Kamala Harris në një botë gjithnjë e më mizogjene?

Çfarë do të nënkuptonte fitorja e mundshme e Kamala Harris në një botë gjithnjë e më mizogjene?

Shkruan : Afrim Kasolli

Tërheqja e presidentit amerikan Joe Biden nga gara presidenciale dhe nominimi i i zëvendës presidentes Kamala Haris, si kundërshtare e kandidatit republikan ish-presidentit Donald Trump, ka nxitur shumë pandehma se cili do të ishte roli i saj si drejtuese e Shtëpisë së Bardhë, në një kohë gjithnjë e më të trazuar gjeopolitike?

Është përmendur fakti se duke qene krah për krah për katër vite me presidentin Joe Biden, ajo do t’i vazhdonte pa mëdyshje disa nga politikat e tij si brenda vendit ashtu në politikën e jashtme. Forcimi i lidhjeve trans-atlantike, mbështetja për luftën mbrojtëse në Ukrainë si dhe balancimi dhe kufizimi i mundshëm i Kinës janë listuar disa nga prioritet e pandryshueshme të saj si presidente e mundshme. Po ashtu, përkushtimi për t’i dhënë fund konfliktit në Rripin e Gazës dhe një presion më i madh ndaj kryeministrit të Izraelit Benjamin Natanjahu.

Mirëpo, si nominimi ashtu edhe fitorja eventuale e saj mund të analizohet edhe nga ndikimi që mund të ketë kjo ngjarje sa i përket kauzave gjinore, avancimi të cilave e përfaqëson edhe forcën vitale të demokracisë.

Sipas të dhënave të institutit V-Dem, një organizatë kjo që merret me studimin e demokracisë, sot 70 përqind e popullsisë botërore është duke jetuar nën regjime autokratike. Dhe për tepër, siç konstaton Linda Robinsion në shkrimin “The Global Assault on Women in Politics- A More Misogynistic World Is a More Authoritarian World” një nga komponentët kryesore të këtij sulmi mbi demokracinë është duke shkuar paralelisht me atakimin ndaj grave lidere në politikë, ashtu edhe ndaj të drejtave të tyre në përgjithësi.

Sulmet mizogjeniste ndaj këtyre të fundit e formojnë një pjesë të fjalorit politik të së djathtës ekstreme për përftime elektorale.

Të përballura më këtë gjuhë, që kryesisht po kultivohet nga këto rryma, në dallim nga vitet e kaluara shumë gra janë tërhequr nga pozicionet politike dhe publike. Ato sot zënë vetëm 27 përqind të ulëse parlamentare në nivel botëror, ndërkohë kur gjysma e popullsisë përbëhet nga gratë. Dhe siç dihet proporcioni i drejtë e përfaqësimit të tyre është kusht për një demokraci të shëndetshme. Po ashtu, pas disa vitesh progres në numri i grave që shërbejnë si drejtuese shteti në dallim nga viti 2023 që shkonte deri në 38 sot ka rënë në 27. Kurse sipas të dhënave Unionit Inter-Parlamentar, një nga gjashtë gra, është duke e dorëzuar pozitën e parlamentares para përfundimit të mandatit. Ndërkaq, numri i atyre që konkurrojnë për pozita të tilla ka rënë për 21 përqind, që nga viti 2022 konstaton “Center for American Women and Politics”.

Të gjitha këto fakte dëshmojnë se sot është duke u zhvilluar një sulm i “orkestruar” në nivel global mbi pjesëmarrjen e grave në politikë. Kjo fushatë zakonisht kultivohet nga retorika restaurimit të vlerave tradicionale të familjes që afirmohet nga liderët populistë të së djathtës. Ku burrave u takojnë detyrat e politikës kurse grave të shtëpisë.

Në këtë kontekst, suksesi i kandidates demokrate për pozitën e të parës së shtetit në SHBA, Kamalla Harris, mbase do të shënonte një pikë kthese ndaj kësaj tendence. Sepse kurrë më shumë se në këtë rast, nuk janë duke u konfrontuar këto dy pikëpamje politike mbi demokracinë dhe misionin e saj. Sipas, Donald Trump, tashmë demokracia amerikane duhet të konservohet, sepse ajo është në rrezik nga emigrantet, të drejtat e avancuara të grave e deri të drejtat për abort. Kurse sipas Kamala Harris, demokracia amerikane, merr kuptim vetëm me barazinë e plotë edhe të këtyre kategorive. Shto këtu faktin se ajo do të ishte e para grua presidente në historinë e SHBA-ve, një pozitë kjo që ka qenë një “kështjellë” e privilegjuar vetëm për burrat. /TV Arbëria

Powered by WordPress