Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Çfarë do të nënkuptonte eliminimi i Departamentit të Arsimit, i propozuar nga Trump?

Çfarë do të nënkuptonte eliminimi i Departamentit të Arsimit, i propozuar nga Trump?

Gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i zgjedhur Donald Trump e përçmoi Departamentin e Arsimit, duke e cilësuar atë si të infiltruar nga “radikalët, fanatikët dhe marksistët”.

Trump ka zgjedhur Linda McMahon, ish drejtuese e lartë e një e sporti ku përfshihet edhe mundja, për ta udhëhequr departamentin. Por si shumë politikanë konservatorë para tij, republikani Trump ka bërë thirrje për eliminimin e plotë të departamentit, një detyrë e vështirë që ka të ngjarë të kërkojë miratimin e Kongresit.

Roli kryesor i departamentit ka të bëjë me anën financiare, duke ofruar miliarda para në fonde federale për kolegje dhe shkolla dhe menaxhuar huatë që ofron qeveria federale për studentët.

Mbyllja e departamentit do të nënkuptonte transferimin e këtyre detyrave tek një agjenci tjetër. Departamenti i Arsimit luan gjithashtu një rol të rëndësishëm rregullator në shërbim të studentëve, duke filluar nga ata me aftësi të kufizuara e deri tek fëmijët nga familje me të ardhura të ulëta dhe të pastrehë.

Fondet federale për arsimin përbëjnë një pjesë thelbësore në planet e Trump për kolegjet dhe shkollat.

Presidenti i sapozgjedhur është zotuar të ndërpresë fondet federale për shkollat dhe kolegjet që zbatojnë politika të “teorisë kritike racore, çmendurinë transgjinore dhe përmbajtje të tjera të papërshtatshme racore, seksuale ose politike”. Ai ka premtuar që t’i shpërblejë shtetet dhe shkollat që i japin fund punësimit pa kufizime të mësuesve dhe miratojnë programe universale që i lejojnë prindërit të zgjedhin se ku t’i arsimojnë fëmijët.

Fondet federale përbëjnë një pjesë relativisht të vogël të buxhetit për shkollat publike, afërsisht 14%. Kolegjet dhe universitetet mbështeten më shumë tek fondet federale, siç është financimi për kërkime shkencore si dhe fondet që i ndihmojnë studentët të paguajnë për shkollimin e tyre.

Kreditë studentore dhe ndihma financiare

Departamenti i Arsimit menaxhon afërsisht 1.5 trilion dollarë kredi studentore të marra borxh nga rreth 40 milionë huamarrës. Po ashtu mbikëqyr një program ndihme për studentët nën një prag të caktuar të ardhurash për familjet në nevojë dhe administron huatë federale me kosto të ulët për studentët.

Administrata e Presidentit Biden u ka falur borxhet disa miliona studentëve, duke e cilësuar përpjekjen një detyrë të rëndësishme të Departamentit të Arsimit. Pas përmbysjes nga Gjykata e Lartë të përpjekjes fillestare të Presidentit Biden për të anuluar huatë studentore, administrata ka falur mbi 175 miliardë dollarë kredi për më shumë se 4.8 milionë huamarrës, duke ndryshuar një seri programesh që administron, siç është ajo e faljes së borxhit në shërbim të interesit publik. Por këto përpjekje janë ndeshur me kundërshtinë e republikanëve, mes tyre paditë e ngritura në shtetet konservatore.

Trump i ka kritikuar përpjekjet e Presidentit Biden për të anuluar borxhin, duke i cilësuar ato si të paligjshme dhe të padrejta, dhe e ka quajtur veprimin një “katastrofë totale” që “tallet me të rinjtë”. Trump nuk ka ofruar plane të detajuara për studentët.

Të drejtat civile

Nëpërmjet Zyrës për të Drejtat Civile, Departamenti i Arsimit zhvillon hetime dhe jep udhëzime se si duhet të zbatohen ligjet për të drejtat civile, si për studentët që i përkasin grupit LGBTQ+ dhe ata me ngjyrë.

Zyra gjithashtu mbikëqyr një projekt të madh për mbledhjen e të dhënave për të parë pabarazitë në burime, qasjen tek kurset arsimore dhe disiplinën për studentët e grupeve të ndryshme racore dhe social-ekonomike.

Trump ka sugjeruar një interpretim të ndryshëm të rolit të zyrës për të drejtat civile. Në platformën e tij të fushatës zgjedhore, ai shprehej se do ta shfrytëzonte këtë zyrë për të “ndaluar shkollat që të diskriminojnë në baza racore”.

Ai i ka cilësuar politikat e larmisë dhe barazisë në arsim si “diskriminim i qartë dhe i paligjshëm” duke u shprehur se kolegjet që i përdorin këto politika do të gjobiten dhe fondet tyre do të tatohen.

Trump gjithashtu është zotuar që t’i përjashtojë studentët transgjinorë nga mbrojtja që ofron ligji federal i njohur si “Title IX”, i cili prek politikat nëpër shkolla mbi përdorimin e përemrave, banjave dhe dhomave të zhveshjes nga këta studentë. I miratuar fillimisht në vitin 1972, “Ligji IX” u përdor për herë të parë për të mbrojtur të drejtat e grave. Këtë vit, administrata e Presidentit Biden tha se ligji ndalon diskriminimin bazuar në identitetin gjinor dhe orientimin seksual, por zoti Trump mund ta zhbëjë këtë.

Akreditimi i kolegjeve

Ndërsa Departamenti i Arsimit nuk akrediton drejtpërdrejt kolegjet dhe universitetet, ai mbikëqyr sistemin, duke rishikuar të gjitha agjencitë e akreditimit të njohura nga qeveria federale. Institucionet e arsimit të lartë duhet të akreditohen në mënyrë që studentët e tyre të përfitojnë hua federale me kosto të ulët.

Në vitin 2022, akreditimi u vu në shënjestër nga konservatorët, kur Shoqata Jugore e Kolegjeve dhe Shkollave ngriti pikëpyetje ndaj ndërhyrjes politike në kolegjet dhe universitetet publike të Floridës.

Trump ka thënë se do t’i shkarkojë “akreditorët radikalë të majtë” dhe do të pranojë aplikime për akreditues të rinj që do të mbështesin standardet, përfshirë “mbrojtjen e traditës amerikane” dhe heqjen e administratorëve “marksistë” të larmisë.

Megjithëse sekretarja e arsimit gëzon autoritetin për të ndërprerë marrëdhëniet me agjencitë individuale të akreditimit, ky është një proces i vështirë që rrallëherë është zbatuar.

Nën Presidentin Barack Obama, departamenti ndërmori hapa për të anuluar akredituesit për një numër kolegjesh fitimprurëse, tashmë të zhdukura, por administrata e Presidentit Trump e bllokoi masën. Në vitin 2022, administrata e Presidentit Biden i hoqi licencën grupit Këshilli Akreditues për Kolegjet dhe Shkollat e Pavarura.

Fondet për shkollat

Pjesa më e madhe e fondeve të Departamentit të Arsimit për shkollat nga klasa e parë deri në të 12, kalon përmes programeve të mëdha federale, të tilla si “Ligji I” për shkollat me të ardhura të ulëta dhe Akti Arsimor për Individët me Aftësi të Kufizuara.

Këto programe mbështesin shërbime për nxënësit me aftësi të kufizuara, klasa me më pak nxënës dhe mësues shtesë dhe paguajnë për punonjësit socialë dhe role të tjera jo-mësimdhënëse nëpër shkolla.

Gjatë fushatës presidenciale, Trump bëri thirrje për kalimin e këtyre funksioneve tek shtetet. Ai nuk ka ofruar detaje se si do të trajtoheshin funksionet thelbësore të agjencisë për dërgimin e fondeve federale për qarqet dhe shkollat lokale.

Projekti 2025 nga Fondacioni Heritage, një propozim gjithëpërfshirës që nxjerr në pah një vizion të ekstremit të djathtë për vendin dhe që përputhet në disa pika me fushatën e Trump, ofron një plan.

Projekti sugjeron kalimin e programeve për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga familje me të ardhura të ulëta fillimisht nën Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, përpara se të eliminohen fondet duke i konvertuar ato në ndihma pa kushte për shtetet./VOA

Powered by WordPress