Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rin dhe Sport, Hajrulla Çeku, ka thënë se me programin “Xhudo në shkolla” synohet që ky sport deri në vitin 2027 të shtrihet në të gjitha shkolla dhe në të gjitha komunat e Kosovës.
Në shkollën “Qamil Batalli” në Prishtinë sot u prezantua ky projekt para nxënësve që synon zbulimin e talentëve të rinj në këtë sport, por edhe kultivimin e një stili të shëndetshëm të jetesës.
Këto aktivitete po zhvillohen në kuadër të projektit “Kosova shtet i Xhudos”.
Postimi i plotë i Çeku në “Facebook”:
Xhudo për nxënësit, olimpistët e së ardhmes
Nxënësit e shkollës model “Qamil Batalli” në Prishtinë sot u njoftuan me sportin e xhudos. Përmes këtyre aktiviteteve kemi për synim ta rrisim aktivitetin fizik tek fëmijët për të kultivuar një stil jetese të shëndetshme. Në të njëjtën kohë, identifikojmë dhe promovojmë xhudistët e rinj të talentuar.
Kjo është faza e parë e nën-programit “Xhudo në shkolla” që është një nga komponentët kryesor të programit shtetëror “Kosova shtet i xhudos”. Deri tek faza e gjashtë në vitin 2027, nën-programi do të shtrihet në të gjitha shkollat dhe komunat e Kosovës. Me programe si ky, hapim dyert për njerëzit që e duan sportin dhe mbështesim vazhdimësinë e sukseseve botërore në xhudo.
/TV Arbëria