Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka dorëzuar sot zyrtarisht listën e kandidatëve për Kuvendin Komunal të kryeqytetit. Lista, sipas tij, përfaqëson një përbërje gjithëpërfshirëse, me theks të veçantë në barazinë gjinore dhe përfaqësimin qytetar.
“Me 48% gra, një grua bartëse të listës dhe gjashtë gra në dhjetëshen e parë, po e bëjmë të qartë se barazia gjinore nuk është dekor, por bosht i vizionit tonë politik,” ka deklaruar Çeku.
Ai e ka quajtur këtë listë si “lista e fitores së përbashkët”, duke theksuar se ajo sjell në skenën politike përfaqësues të ndershëm, të guximshëm dhe të palëkundur ndaj interesave të padrejta. Sipas tij, këta kandidatë do të angazhohen për një qeverisje që është në shërbim të shumicës, jo të pakicës së privilegjuar.
“Për Prishtinën tonë të barabartë, të gjallë dhe të drejtë!”, ka përmbyllur ai deklaratën e tij. /TV Arbëria
