Hajrulla Çeku, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, në Debat Plus në RTV Dukagjini ka adresuar kritika të ashpra ndaj kryetarit aktual, Përparim Rama, duke e akuzuar për qeverisje joefikase dhe për manipulim të opinionit publik.
“Ai Prishtinën e ka fituar me një lloj mashtrimi, e ka qeverisur me PR dhe po e përfundon me improvizime”, tha Çeku, duke vlerësuar se mandati i Ramës ka qenë i dështuar.
Sipas tij, Rama po përpiqet që në javët e fundit të mandatit të përfundojë projekte që është dashur të kryheshin gjatë katër viteve të plota.
“Punë që është dashur të kryhen ose të paktën të fillojnë gjatë katër viteve, po tenton t’i përfundojë brenda katër javëve të fundit të mandatit të tij. Kështu ka vepruar edhe me hapjen e disa linjave të reja për fshatra dhe disa lagje të autobusit. Ky ka qenë vetëm një lloj kontraktimi i kompanive private”, tha Çeku.
Ai shtoi se e njëjta qasje po ndiqet edhe me ndriçimin publik, duke e cilësuar si një fushatë të vonuar dhe të dëmshme për financat e qytetit.
“Kështu po bën edhe me ndriçimin publik – e keni parë një lloj offensive në fshatra dhe në lagje për të vendosur ndriçim publik tash në fund të mandatit. Unë mendoj që këto improvizime janë edhe të rrezikshme, por edhe e dëmtojnë buxhetin”, deklaroi Çeku.
Me këtë, ai theksoi se qeverisja e Ramës nuk ka prodhuar rezultate të prekshme për qytetarët, duke e reduktuar mandatin e tij në veprime të vonuara e të pamenduara mirë.