Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Çeku: Nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale sportive në Kosovë

Çeku: Nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale sportive në Kosovë

Ministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Hajrulla Çeku, ka thënë se Kosova nuk do të tolerojë asnjë aktivitet ilegal sportiv brenda territorit të Kosovës.

Së fundi, Policia e Kosovës ka ndaluar zhvillimin e garave ilegale në futboll në Veri të vendit që po organizoheshin jashtë garave që parasheh Federata e Futbollit të Kosovës.

Pas kësaj, Federata e Futbollit në Serbi i është drejtuar UEFA-së me një letër ku ankohet për kinse pengim të zhvillimit të garave dhe intimidim të sportistëve nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Këtë letër, ministri Çeku e ka quajtur shtrembërim të realitetit, por edhe përdorim i gjuhës fyeze ndaj Kosovës.

“Serbia vazhdon me veprime dëmtuese ndaj Kosovës, në shkelje të plotë me mirëbesimin si bazë e marrëveshjes së fundit në procesin e dialogut. Letra e Federatës së Futbollit të Serbisë drejtuar Presidentit të UEFA-së, përveç shtrembërimit të realitetit, përdor edhe gjuhë fyese.”

Ai ka shtuar se federatat sportive në Kosovë vazhdimisht kanë bërë thirrje që klubet sportive të komunitetit serb në Republikën e Kosovës që të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv në shtetin tonë, por ato kanë vazhduar të mos e bëjnë këtë, andaj gara të tille, ilegale, Çeku ka thënë se nuk do të tolerohen.

“Kosova është vend i sportit, por ne nuk do të tolerojmë aktivitete ilegale që shkelin rendin tonë kushtetues dhe ligjor, si dhe kartat evropiane e botërore të sportit. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Federata e Futbollit e Kosovës është anëtare me të drejta të plota e UEFA dhe FIFA. U bëjmë thirrje të gjitha klubeve të sportit të bëhen pjesë e sistemit legjitim sportiv të Kosovës.”, ka shkruan i pari i MKRS-s në “Facebook”.

Në lidhje me këto organizime të garave ilegale në Kosovë nga ana e Serbisë, javën e kaluar FFK i ka dërguar letër edhe UEFA-s dhe FIFA-s

/TV Arbëria

Powered by WordPress